Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar daljen nga shtrati të një lumi në rajonin Junin të Perusë, duke përmbytur dhjetëra banesa dhe duke lënë shumë familje pa strehë.
Sipas autoriteteve lokale, kjo është hera e katërt ose e pestë që zona përballet me përmbytje, por ngjarja e fundit konsiderohet si më e rënda deri më tani. Kryebashkiaku Timoteo Suarez Pariona deklaroi se shumë banorë kanë humbur pothuajse gjithçka, pasi uji dhe balta pushtuan shtëpitë e tyre.
Familjet e prekura kanë kërkuar ndihmë urgjente, përfshirë ujë të pijshëm, ushqime të konservuara, batanije, veshje dhe materiale ndërtimi. Disa prej tyre janë strehuar përkohësisht tek fqinjët.
Në zonë kanë mbërritur ekipet e Mbrojtjes Civile dhe brigada të ushtrisë peruane për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar në pastrimin e baltës dhe mbetjeve nga rrugët dhe banesat.
Ngjarja ndodhi gjatë sezonit të shirave në Peru, i cili javët e fundit ka rritur ndjeshëm nivelin e lumenjve dhe rrezikun e përmbytjeve, veçanërisht në rajonet e ndjeshme të zonave xhunglore./mxh
