Presidenti i Gjeorgjisë, Mikheil Kavelashvili, priti në një vizitë zyrtare homologun kroat Zoran Milanoviç, në vizitën e parë të një kreu shteti kroat në këtë vend të Kaukazit Jugor.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Kavelashvili u shpreh se disa vende të Bashkimit Evropian po vlerësojnë në mënyrë objektive progresin e Gjeorgjisë dhe po zgjedhin dialogun, në vend të asaj që ai e quajti retorikë agresive nga burokratët evropianë. Ai theksoi se politika e zgjerimit të BE-së nuk duhet të përdoret si mjet presioni apo manipulimi.
Nga ana e tij, presidenti kroat Zoran Milanoviç deklaroi se shumë vende evropiane nuk kanë një qëndrim të qartë ndaj Gjeorgjisë dhe preferojnë të qëndrojnë në “zonën e rehatisë”, duke mbajtur një qasje oportuniste.
Vizita u fokusua edhe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Marrëdhëniet mes Tbilisit dhe Brukselit kanë qenë të tensionuara. Në vitin 2024, partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane” njoftoi ngrirjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndonëse ka deklaruar se synon integrimin evropian duke ruajtur vlerat tradicionale.
Një raport i Komisionit Evropian në nëntor akuzoi Gjeorgjinë për “rrëshqitje serioze demokratike”, duke e cilësuar vendin si kandidat vetëm në emër. Ndërkohë, autoritetet janë kritikuar për goditje ndaj opozitës dhe arrestime të protestuesve.
Dikur i konsideruar si një nga shtetet më pro-perëndimore në hapësirën post-sovjetike, Gjeorgjia vitet e fundit është përballur me akuza për prirje autoritare dhe për thellim të lidhjeve ekonomike me Rusinë./mxh