Përmbytjet e rënda të shkaktuara nga reshjet intensive kanë përfshirë zona të mëdha të Kosovës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke detyruar autoritetet të ndërmarrin evakuime masive.
Media ndërkombëtare si Al Jazeera dhe agjencia Reuters i kanë kushtuar vëmendje të veçantë situatës së rëndë të motit në vend.
Sipas Reuters, ekipet e emergjencës në Kosovë janë përballur me ditën e dytë radhazi të evakuimeve dhe operacioneve të shpëtimit, pasi përmbytjet kanë goditur një pjesë të madhe të territorit.
Në fshatin Kuzmin, afër Prishtinës, shpëtimtarët ndërhynë për të ndihmuar një familje me një fëmijë të vogël, shtëpia e së cilës ishte përmbytur plotësisht.

Pamjet e transmetuara nga Al Jazeera tregojnë shtëpi dhe rrugë tërësisht nën ujë, banorë që evakuohen me varka dhe ekipe emergjente që punojnë në kushte të vështira për të shpëtuar të prekurit.
Sipas parashikimeve meteorologjike, reshjet e shiut dhe borës pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur shqetësimin për përkeqësim të mëtejshëm të situatës.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve emergjente, ndërsa situata vazhdon të monitorohet nga afër./K.M
