Nga Mentor Kikia
Kur lexova lajmin për urdhër arrestin ndaj Vlora Hysenit, shefe e Shërbimit Inteligjent Shqiptar, me akuzën e “Nxjerrjes së informacioneve sekrete”, më kaploi menjëherë një emicion i fortë.
Unë jam tip konspirativ dhe më pëlqejnë historitë, librat dhe filmat me spiunë.
Më erdhën shpejt e shpejt ndërmend histori agjentësh të CIA-s dhe KGB-së që jepnin informacion për agjencitë kundërshtare. Zbulime rrjetesh rivale, rekrutime diplomatësh dhe finksionarësh, histori erotike, që zhvilloheshin nëpër hotele luksi dhe fotografoheshin për tu shndërruar në shantazhe për rekrutimin e bashkëpunëtorëve. Takime poshtë urave e në parqe, çanta e dosje që këmbëheshin nëpër stola nga burra me pardesy me jakat e ngritura…
Mu kujtun Kim Filbi që shiste CIA-n dhe MI6 tek KGB-ja për misionet diversante në Shqipëri, apo Oleg Penkovski i famshëm i KGB-së, që shpëtoi botën nga lufta bërthamore, duke i dhënë CIA-s informacion për vendosjen e raketave sovjetike në Kubë.
Punë e bukur të jesh agjent. Edhe tradhëtitë janë pjesë e këtij misioni aventuresk. Ca spiunonin për para, ca për idealizëm e ca për pasion.
Po Vlora, për çfarë arsyeje do të ketë spiunuar?- pyeta me vete. Dhe, ndërsa po prisja të mësoja se për kë shërbim të huaj kishte punuar Vlora jonë, për të pasuruar arkivin me agjentë, zhgënjimi mu përplas në fytyrë.
Vlora spiunonte tek Ergys Agasi. Dhe nuk jepte informacione për rraketa, kamionët ushtarakë që prodhojmë, fabrikat tona të armëve, stretegji ushtarake, zbulime rrjetesh terroriste, ndonjë plan të qeverisë shqiptare për bashkim me Kosovën, ndonjë përgatitje të ushtrisë shqiptare për të pushtuar Greqinë apo Malin e Zi, por jepte informacione për grupet kriminale.
U mërzita shumë!
Edhe njëherë që patëm një histori të bukur me spiunë e agjentura, na doli banale.
