Ish-ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, ka analizuar zhvillimet e fundit të konfliktit në Iran, duke paralajmëruar për një përshkallëzim të qartë të situatës, pavarësisht sinjaleve për negociata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
I ftuar në emisionin “Balkan Talks”, Panariti u shpreh se refuzimi i dialogut nga pala iraniane dhe intensifikimi i veprimeve ushtarake tregojnë se tensionet janë ende larg zbutjes. Sipas tij, konflikti ka kaluar tashmë përtej një përballjeje direkte mes SHBA-së dhe Iranit, duke marrë përmasa rajonale dhe duke përfshirë aktorë të tjerë dhe zona strategjike kyçe.
Ai veçoi si element të rëndësishëm Ngushticën e Hormuzit, duke e cilësuar atë si një kartë të fortë të Iranit për të ushtruar presion dhe për të fituar kohë përballë ofensivës. Po ashtu, Panariti përmendi përpjekjet për ndërmjetësim nga vende si Pakistan dhe Turqi, të cilat sipas tij nuk kanë prodhuar rezultate konkrete.
“Jemi ende në një fazë të pastër përshkallëzimi, ndërsa përpjekjet për ndërmjetësim nga vende si Pakistani apo Turqia nuk kanë prodhuar rezultat, pasi Irani mohon çdo mundësi dialogu. Nuk kemi të bëjmë thjesht me operacione luftarake mes SHBA-së dhe Iranit, por me një tendencë për ta rajonalizuar konfliktin, duke përfshirë edhe vende të tjera dhe zona strategjike si ngushtica e Hormuzit. Strategjia e dekapitimit dhe bombardimeve strategjike nuk funksionoi siç ishte menduar, pasi Irani kishte ndërtuar prej kohësh një mbrojtje të decentralizuar, të ashtuquajtur ‘mbrojtja mozaik’. Është e qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli dominojnë ajrin, por Irani po përpiqet ta globalizojë konfliktin përmes aktorëve të tij rajonalë. Irani i ngjan një hidre me shumë koka, që përveç përballjes direkte, krijon edhe vatra të reja tensioni në rajon”, tha ai.
Në analizën e tij, Panariti theksoi se strategjia fillestare amerikane për një zgjidhje të shpejtë përmes goditjes së kupolës drejtuese dhe bombardimeve strategjike nuk dha rezultatet e pritshme, duke e bërë konfliktin më kompleks dhe me një të ardhme të paqartë.
Në përfundim, ai nënvizoi se e ardhmja e konfliktit mbetet e paqartë, ndërsa çdo ndryshim i regjimit në Iran do të varet kryesisht nga vetë populli iranian, dhe jo nga ndërhyrjet e jashtme.
