Personat me tip personaliteti ENFJ, të njohur si shumë karizmatikë, socialë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët, shpesh perceptohen si ndër më tërheqësit në çdo rreth shoqëror. Por sipas ekspertëve të psikologjisë, pas kësaj fasade të ngrohtë dhe energjike, mund të fshihen edhe disa anë më të vështira të karakterit, që ndikojnë si në marrëdhënie ashtu edhe në mënyrën se si ata e përjetojnë veten.
Sipas psikologut Dr. Guy Winch, njerëzit që varen shumë nga miratimi i të tjerëve për të vlerësuar veten e tyre shpesh jetojnë me luhatje emocionale, sepse vetëvlerësimi i tyre ndryshon sipas mendimit të të tjerëve dhe jo sipas një baze të brendshme të qëndrueshme.
Më poshtë janë 5 tipare më pak të dukshme që shpesh shoqërojnë njerëzit që të tjerët i shohin si shumë tërheqës:
Kanë tendencë të jenë imponues
Njerëzit shumë karizmatikë shpesh besojnë fort te potenciali i të tjerëve dhe duan t’i ndihmojnë të arrijnë më shumë, por kjo mund të kthehet në presion. Në përpjekje për të “nxjerrë më të mirën” nga dikush, ata mund të kalojnë kufijtë e personit tjetër dhe ta shtyjnë përtej asaj që është gati të bëjë. Edhe kur qëllimi është i mirë, kjo sjellje mund të krijojë tension dhe ndjenjë presioni në marrëdhënie.
Kanë vështirësi në marrjen e vendimeve
Ky tip personaliteti mendon shumë gjatë para se të zgjedhë diçka, sepse analizon të gjitha mundësitë dhe pasojat. Kjo shpesh i çon në bllokim mendor, ku vendimmarrja bëhet e vështirë dhe e ngadaltë. Për më tepër, ata shpesh marrin mbi vete edhe problemet e të tjerëve, duke e komplikuar edhe më shumë procesin e tyre të zgjedhjes.
Shmangin konfliktet
Për të ruajtur marrëdhënie të qeta, këta persona shpesh zgjedhin të mos përballen me problemet. Ata preferojnë të mos flasin për gjërat që i shqetësojnë, për të mos krijuar tension, por kjo sjellje mund të krijojë pakënaqësi të brendshme dhe ndjenja të fshehura zemërimi me kalimin e kohës. Shmangia e konflikteve duket si sjellje paqësore, por shpesh ka kosto emocionale.
Janë shumë të ndjeshëm emocionalisht
Për shkak të ndjeshmërisë së lartë, këta persona përjetojnë shumë thellë emocionet e të tjerëve dhe reagojnë fort ndaj kritikave. Në rolin e prindit apo kujdestarit, kjo ndjeshmëri mund t’i bëjë më të butë dhe më pak të qëndrueshëm në vendosjen e rregullave, duke e bërë të vështirë disiplinën dhe vendosjen e kufijve. Edhe kritikat nga njerëzit e afërt mund t’i prekin më shumë se zakonisht.
Priren të sakrifikojnë veten për të tjerët
Ata shpesh vendosin nevojat e të tjerëve përpara të tyret dhe e kanë të vështirë të thonë “jo”. Kjo sjellje mund të çojë në mbingarkesë, lodhje dhe ndjenjë shfrytëzimi, sidomos në punë apo marrëdhënie ku kërkesat rriten vazhdimisht. Me kalimin e kohës, kjo prirje për të ndihmuar të gjithë mund të ulë edhe vetëvlerësimin e tyre, sepse kufijtë personalë shpesh nuk respektohen./mxh
