Last Updated on 06/07/2026 by Kesjana
Europa Jugore po përjeton ditë të vështira për shkak të zjarreve që kanë shpërthyer, mes temperaturave ekstreme. Në jug të Francës një zjarr masiv vijon të përhapet duke shkaktuar probleme serioze edhe në zhvillimin e etapës së “Tour de France”.
Ndërkohë, dy vatra të tjera zjarri, konkretisht në Spanjë dhe Portugali janë pjesërisht nën kontroll, por situata mbetet e ndërlikuar, ndërsa rajoni po përgatitet për një tjetër valë të nxehti.
Në Francë, zjarri që shpërtheu të shtunën në një zonë të vështirë pranë vargmalit Kanigou ka përfshirë rreth 45.000 hektarë tokë. Dy persona janë plagosur, një zjarrfikës dhe një banor.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e mijëra banorëve në disa komuna, ndërsa rreth 700 zjarrfikës, 200 automjete dhe rreth 10 avionë po luftojnë me flakët. Për shkak të situatës, etapa e “Tour de France” do të zhvillohet pa spektatorë.
Në Spanjë, një zjarr pranë zonës turistike Costa Brava ka djegur rreth 22.000 hektarë, por autoritetet thonë se situata është stabilizuar. Dyshohet se shkaku i nisjes së flakëve ka qenë pakujdesia dhe një person është arrestuar.
Në Portugali, një tjetër zjarr i madh në zonën e Vouzela ka shkatërruar mbi 130.000 hektarë bimësi. Autoritetet raportojnë se rreth 80% e zjarrit është vënë nën kontroll, ndërsa vendi po përballet me një valë të fortë të nxehti dhe ka kërkuar ndihmë përmes mekanizmit europian të mbrojtjes civile.
Autoritetet në të tria vendet theksojnë se shumica e zjarreve shkaktohen nga njerëzit, por përhapja e tyre po përkeqësohet nga temperaturat e larta dhe thatësirat që lidhen me ndryshimet klimatike. Në total, Europa ka regjistruar dëme rekord nga zjarret pyjore gjatë vitit 2025, me mbi 10 milionë hektarë të djegur. /Kb
