Pesë migrantë afrikanë kanë humbur jetën teksa përpiqeshin të arrinin në Ishujt Kanarie të Spanjës, njoftuan ekipet spanjolle të shpëtimit. Ndërkohë, një organizatë joqeveritare paralajmëroi se numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë.
Shërbimi spanjoll i shpëtimit detar, Salvamento Marítimo, shpëtoi të mërkurën në mbrëmje 44 burra nga Afrika Subsahariane, pasi varka e tyre u lokalizua rreth 120 kilometra në jugperëndim të Gran Canaria-s.
Tre prej migrantëve u evakuuan me helikopter drejt një spitali në ishull, ndërsa 41 të tjerët u transportuan me anije dhe mbërritën në portin e Arguineguín të enjten në mëngjes, ku morën ndihmën e Kryqit të Kuq.
Për shkak të kushteve të vështira të motit, me erëra të forta dhe dallgë deri në 2.5 metra, ekipet e shpëtimit fillimisht nuk mundën të nxirrnin në bord trupat e pesë viktimave.
Sipas Kryqit të Kuq, të mbijetuarit ishin të gjithë meshkuj, mes tyre edhe disa të mitur, dhe vinin nga Mali dhe Senegali.
Ndërkohë, Helena Maleno, zëdhënëse e organizatës Caminando Fronteras, deklaroi në rrjetin X se 83 migrantë, mes tyre tre gra dhe një vajzë e vogël, kishin humbur jetën në një varkë të nisur nga Gambia 27 ditë më parë. Nuk është ende e qartë nëse ky raport i referohet të njëjtit incident./k.m
