Fermeri nuk është i vetmi fajtor për praninë e helmeve bujqësore në fruta dhe perime. Sipas specialistët të mbrojtjes së bimëve, Shpend Shahini, një rol të rëndësishëm luan dhe agronomi i cili duhet të rekomandojë ato preparate bujqësore që kërkojnë pak kohë për tu shpërbërë, pra afati i karencës të mos jetë më shumë se 72 orë.
“Për të gjithë specialistët do të thosha është koha që të reomandojmë ato produkte në të cilën karenca është shumë e shkurtër. Po të shikoni nga pikëpamja e aspektit të prodhimit për specin vjelja bëhet njëherë në dy ditë ose njëherë në tre ditë. Nëse kemi rekomanduar një produkt që karenca është mbi këto ditë, atëherë zgjidhja nuk është teknike. Siç thash që duhet të rekomandohen ato produkte që e kanë karencën e shkurtër”.
Fermeri duhet të bindet se pompa e helmit nuk është gjithmonë zgjidhja e duhur për të shpëtuar të mbjellat. Metodat e reja të aplikuara në Europë jo vetëm që të garantojnë produkt të sigurt, por edhe i rrisin vlerën bujkut.
“Është koha që fermerët dhe specialistët tanë të përqafojnë modelin e ri që Lufton insekte siç është ajo e kontrollit biologjik.”
Që fermeri të mos nxitojë me vjeljen dhe agronomi të mos gabojë me recetën Ministria e Bujqësisë duhet të nxitojë në miratimin e një protokolli, i cili dikton medikamentin dhe mënyrën e duhur të aplikimit.
“Është momenti që ne pikërisht të rekomandojmë ato protokolle ku lënda aktive të jetë në funksion të dëmtuesit apo të patologjisë dhe nga an tjetër jo vetëm që të inkludojmë produktet e mbrojtjes së bimëve me karencë të ulët por është e rëndësishme dhe frekuenca e përdorimit të këtyre produkteve që është një element që lidhet drejtpërdrejtë me elementë të biodegradimit.”
Lajmin se Shqipëria abuzon me përdorimin e pesticideve e japin gjithmonë vendet e BE, ku deri më tani prodhimet më problematike janë speci i kuq, domatja dhe pjeshka. Ndërkohë që është detyrë e Ministrisë së Bujqësisë të ndalojë tregtimin dhe rritjen e fruta dhe perimeve që vënë në rrezik shëndetin e njeriut./ad
