Last Updated on 27/09/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Tiranë pas vizitës në New York, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Pas mbërritjes në aeroportin “Nënë Tereza”, Rama pritet t’u drejtohet shqiptarëve me një mesazh, i cili nuk do të shoqërohet me një konferencë për shtyp.
Mesazhi do të regjistrohet dhe shpërndahet për mediat nga regjia e Kryeministrisë, ndërsa gazetarët nuk janë lejuar të jenë të pranishëm në ambientet ku do të realizohet komunikimi.
Gazetarët janë lënë jashtë aeroportit ‘Nënë Tereza’.
Mesazhi i kryeministrit vjen në një moment të ndjeshëm të zhvillimeve politike dhe hetimeve të SPAK. Në fokus është edhe çështja që lidhet me ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe biznesmenin Ergys Agasi, i arrestuar në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”.
Sipas akuzave të bëra publike në kuadër të hetimit, Hyseni dyshohet se i ka përcjellë informacione sekrete Agasit. Çështja vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Në këto rrethana, vëmendja është përqendruar te përmbajtja e mesazhit që Rama pritet t’u drejtojë shqiptarëve pas kthimit nga SHBA./ad
