Last Updated on 14/04/2025 by adminfjala
Pfizer ka vendosur të ndalojë zhvillimin e ilaçit eksperimental për dobësim, danuglipron, pas shfaqjes së komplikimeve shëndetësore. Sipas njoftimit zyrtar, një pacient që mori pjesë në provë klinike shfaqi dëmtime të mundshme në mëlçi të shkaktuara nga ilaçi, të cilat u përmirësuan pas ndërprerjes së trajtimit.
Pfizer ishte duke testuar një version që merret një herë në ditë të këtij ilaçi oral, pasi në fund të vitit 2023 kishte ndërprerë zhvillimin e versionit që merrej dy herë në ditë, për shkak të shkallës së lartë të efekteve anësore si të përzierat dhe të vjellat, që çuan shumë pacientë të largoheshin nga provat në fazën e ndërmjetme, raportoi Reuters.
Danuglipron bën pjesë në një kategori ilaçesh që synojnë të stabilizojnë një hormon të zorrëve të quajtur GLP-1.
Kjo kategori për humbjen e peshës ka tërhequr interes të madh nga kompanitë farmaceutike dhe investitorët, me parashikime që shitjet vjetore të arrijnë deri në 150 miliardë dollarë në vitet e ardhshme, për shkak të efikasitetit të lartë të barnave të reja që kanë krijuar kërkesë të madhe.
Aktualisht, tregu dominohet nga Wegovy i kompanisë Novo Nordisk dhe Zepbound i Eli Lilly, të cilët administrohen përmes injeksioneve javore. Disa kompani po punojnë për të zhvilluar pilula GLP-1 më të përshtatshme, përfshirë edhe Eli Lilly, e cila pritet të publikojë së shpejti rezultatet e fazës së tretë të provës për ilaçin e saj, orforglipron.
Pfizer deklaroi se studimet për përshtatjen e dozës së versionit të danuglipron që merret një herë në ditë arritën objektivat kryesorë dhe se shkalla e përgjithshme e rritjes së enzimave të mëlçisë në 1.400 pjesëmarrës ishte në përputhje me ilaçet e tjera të miratuara të kësaj kategorie. Megjithatë, një pacient shfaqi dëmtime hepatike dhe kjo ishte e mjaftueshme për të hequr dorë./E.S