Last Updated on 19/10/2026 by EL
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ka theksuar rëndësinë e forcimit të institucioneve, rivendosjes së rendit të vlerave dhe vlerësimit financiar për kategoritë kyçe të shërbimit publik.
Sipas Vengut, pavarësia dhe e ardhmja e një kombi varen drejtpërdrejt nga forca për të vendosur për fatin e vet dhe nga aftësia për të mbrojtur atë që ndërtohet.
“Kjo forcë kërkon institucione që qëndrojnë në këmbë dhe njerëz që dinë, munden dhe guxojnë të përmbushin detyrën,” shprehet ministri.
Teksa nëvizoi nevojën për rivendosjen e rendit në rrugë, por edhe të rendit të vlerave e përgjegjësive në shoqëri, Vengu e lidhi këtë vizion me rritjen e pagave për Policinë e Shtetit dhe profesionet e tjera jetike.
Sipas ministrit Vengu, punonjësit që mbajnë peshën kryesore të sigurisë, arsimit dhe shëndetësisë duhet të jenë më të paguarit në administratën shtetërore.
Reagimi i plotë:
Një Komb është i pavarur për aq sa ka forcën të vendosë për fatin e vet dhe të mbrojë atë që ndërton. Kjo forcë kërkon institucione që qëndrojnë në këmbë dhe njerëz që dinë, munden dhe guxojnë të përmbushin detyrën.
Ndaj duhet rivendosur rendi. Rendi në rrugë, por edhe rendi i vlerave dhe i përgjegjësive: çfarë çmojmë, kujt i besojmë dhe cilin zgjedhim të shpërblejmë. Kur vlerat dhe përgjegjësitë vendosen në rendin që u takon, dialogu demokratik mund të nisë dhe të sjellë ndryshim.
Ky është edhe thelbi i rritjes së pagave dhe shpërblimeve për Policinë e Shtetit.
Arsimtarët, ushtarakët e policët, mjekët e infermierët dhe zjarrfikësit duhet të jenë në krye të piramidës së pagave në administratën shtetërore. Për përgjegjësinë që mbajnë dhe për shembullin që një shoqëri zgjedh t’u japë fëmijëve të saj.
Kujdestarët e brezave dhe të parakushteve për një të ardhme më të mirë për të gjithë duhet të jenë në krye: në vlerësim, në shembull dhe në shpërblim./et
