Last Updated on 08/09/2026 by Anisa
Rezultatet e PISA 2025 tregojnë se nxënësit shqiptarë kanë shënuar përmirësim krahasuar me vitin 2022, por performanca e tyre vijon të jetë nën mesataren e vendeve të OECD-së në matematikë, lexim dhe shkencë.
Sipas të dhënave të publikuara nga OECD, krahasuar me vitin 2022, rezultatet e Shqipërisë janë rritur me 65 pikë në matematikë, 59 pikë në shkencë dhe 50 pikë në lexim.
Megjithatë, vetëm 50% e nxënësve shqiptarë kanë arritur nivelin bazë në lexim, krahasuar me 69% në vendet e OECD-së. Në matematikë, nivelin bazë e kanë arritur 55% e nxënësve, kundrejt 65% në OECD, ndërsa në shkencë 61%, krahasuar me 74% në OECD.
Në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet ndër vendet me rezultatet më të larta, ndërsa sipas ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, në matematikë dhe shkencë ka rezultatet më të larta në rajon.
Në PISA 2025 morën pjesë 5959 nxënës shqiptarë nga 160 shkolla. Në nivel ndërkombëtar, testimi përfshiu mbi 760 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi.
OECD vëren gjithashtu një kufizim metodologjik për Shqipërinë: në testim nuk u përfshinë shkollat me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm, të cilat, sipas organizatës, ndryshojnë nga shkollat pjesëmarrëse edhe në përbërjen socio-ekonomike dhe rezultatet akademike./ad
