Last Updated on 08/09/2026 by Anisa
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim në Shkodër me strukturat e drejtorisë vendore të policisë së këtij qarku.
Gjatë mbledhjes, kreu i Policisë së Shtetit është shfaqur i pakënaqur me policinë vendore të Shkodrës, drejtori të cilën e drejtoi për një periudhë pothuajse 4-mujore në vitin 2021.
Pakënaqësitë e Skënder Hitës lidhur me Policinë e Shkodrës, sipas asaj që deklaroi në mbledhje, lidhen që nga zbulueshmëria e vrasjeve duke vijuar me kriminalitetin, grupet kriminale, kultivimin dhe trafikimin e kanabisit, trafikun rrugor si dhe deri tek siguria në shkolla.
Kreu i Policisë së Shtetit ka kërkuar rezultate më të larta nga Policia e Shkodrës si dhe një efektshmëri më të mëdha në goditjen e grupeve kriminale si dhe zbulimin e krimeve të ndodhura, veçanërisht vrasjeve si dhe kultivimit të drogës.
Kjo mbledhje përkoi në të njëjtën ditë kur në Shkodër ndodhi një ngjarje e rëndë, vrasja e shtetasit Ylber Luli nga autori i dyshuar Andri Vulaj që policia e arrestoi menjëherë pas këtij krimi.
Takimi i drejtorit të policisë së shtetit Skender Hita në Shkodër zgjati mbi një orë.
Kjo mbledhje ishte në vazhdën e disa takimeve që kreu i policisë po zhvillon në qarqe të ndryshme të vendit me drejtuesit vendor dhe strukturat e tjera të policisë duke lënë porosi të qarta për punën e tyre si dhe duke kërkuar më shumë rezultate./ad
