Pjerin Ndreu ka reaguar ashpër pas protestës së zhvilluar në Tiranë, duke akuzuar Sali Berishën dhe Partinë Demokratike për organizimin e akteve të dhunës dhe shkatërrimit. Në reagimin e tij, Ndreu e cilëson protestën si një skenar politik të përsëritur, ndërsa ngre pikëpyetje edhe për mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhoi situatën dhe mbrojti institucionet publike.
Sipas Ndreut, militantët e PD-së, me deputetët në rolin e organizatorëve dhe disa studentë të djathtë, krijuan një situatë të papranueshme, duke dëmtuar pronën publike dhe private.
“Alternativa e shkatërrimit, me dirigjent Saliun dhe “studentët” e tij, me shkollë e pa shkollë!”, shkruan Ndreu, duke shtuar se, sipas tij, mungesa e ideve dhe alternativave politike po zëvendësohet me dhunë.
Ai ngre pyetje për dëmtimin e semaforëve, ndriçimit publik, kamerave, bizneseve private dhe flamurit të Vatikanit, duke theksuar se këto akte nuk mund të justifikohen politikisht.
“Ky është skenari klasik i Saliut, militantët bëjnë djegiet, deputetët e PD-së bëjnë regjinë, Saliu zgërdhihet nga qejfi, siç e ka zakon, vendi destabilizohet dhe shqiptarët nuk fitojnë asgjë!”, shprehet Ndreu.
Megjithatë, përtej akuzave ndaj opozitës, ai ka ngritur edhe shqetësime për punën e Policisë së Shtetit gjatë protestës. Ndreu thotë se nuk kuptoi çorganizimin në mbrojtjen e institucioneve, ekspozimin e efektivëve ndaj dhunës dhe mungesën e kushteve elementare për ta, deri te uji dhe ushqimi.
Në të njëjtën kohë, ai kritikon edhe disa veprime të policisë, të cilat i cilëson si joprofesionale dhe tejkalim të masës, duke nënvizuar se garantimi i rendit duhet të bëhet gjithmonë në përputhje me ligjin.
“Policia duhet të garantojë rendin, të mbrojë institucionet, qytetarët dhe efektivët e saj, por gjithmonë brenda ligjit dhe me profesionalizëm!”, thekson ai.
Në përfundim të reagimit, Ndreu nënvizon se protesta është një e drejtë demokratike, por dhuna dhe shkatërrimi nuk mund të konsiderohen alternativë politike.
“Shqipëria nuk është pronë e askujt për t’u djegur sa herë që dikush humbet pushtetin apo shpresën për ta rimarrë atë!”, shkruan ai, duke e mbyllur reagimin me mesazhin: “Me zjarr mund të digjni semaforë, por nuk ndizni dot shpresë! Me dhunë mund të thyeni xhama, por nuk fitoni dot besimin e shqiptarëve!”
“Alternativa që nuk ndërton asgjë, por shkatërron gjithçka, nuk është alternativë. Është dëshpërim politik!”, përfundon Ndreu./ad
