Last Updated on 06/10/2026 by Monika
Bashkëdrejtuesi i Komisionit të Posaçëm të Reformës Administrativo-Territoriale Luçiano Boçi, komentoi sot fazën e deritanishme të projektligjit, që pritet të votohet nesër në Kuvend.
Në një dalje televizive, Boçi u ndal te qëndrimet e mazhorancës para reformës së fundit, pasojë e së cilës, siç theksoi, ishte shpopullimi i Shqipërisë.
Ai gjithashtu kujtoi edhe synimet e kryeministrit Edi Rama për të ulur që asokohe numrin e bashkive.
Demokrati theksoi se kundërshtimi i opozitës për propozimin e PS-së qëndron te pakënaqësia e krijuar për shkak të mungesës së shërbimeve ndaj qytetarëve në distancat e mëdha.
“Rama që në 2014 donte të kishte 46-47 bashki. Ishte një ndërhyrje e partisë aleate që shtoi 15 bashki të tjera. Nuk ka reflektim, por pasoja që ka sjellë reforma e 2014 është shpopullimi. Krahas mungesës së shërbimeve dhe distancës që ka qytetari me shërbimin që është bashkia. Lëvizja e brendshme e popullsisë është në nivele të vogla lëvizja jashtë është në nivele 80-90%. Vetëm Tirana rezulton me ngritje popullsie 15 mijë banorë. Qarqet e tjera kanë humbur shumë banorë. Shqiptarët janë larguar përtej kufijve se nuk ka shërbim. Shpopullimi ka prekur jo vetëm zonat rurale por edhe zonat urbane. Pakënaqësia është tek mungesa e shërbimeve distanca e madhe dhe ato shërbime që janë kanë mungesë shumë të ulët. Nëse këto shohin ëndrra me Zvicër me banorë që migrojnë brenda vendit, ose kemi një kënaqësi idiote ose mashtrim publik. Kjo është mënyra si justifikohet Rama”,-deklaroi Boçi./mxh
