Një studim i ri ka rikthyer në vëmendje mundësinë e ekzistencës së një planeti ende të pazbuluar në skajet e Sistemit Diellor, shkruan focus.it.
Sipas studiuesve, një trup qiellor me përmasa të ngjashme me Tokën, i fshehur në një distancë qindra herë më të madhe se ajo mes Tokës dhe Diellit, mund të shpjegojë orbitat e pazakonta të disa objekteve të akullta përtej Neptunit.
Për momentin, bëhet fjalë vetëm për një hipotezë shkencore, por studiuesit besojnë se ajo mund të verifikohet përmes vëzhgimeve astronomike. Të dhënat e nevojshme mund të sigurohen nga Observatori Vera Rubin, i cili pritet të luajë një rol të rëndësishëm në zbulimin e objekteve të largëta në hapësirë.
Studimi, me titull “Gjurmët e një planeti të klasës së Tokës në Sistemin Diellor të largët”, u publikua më 23 nëntor 2026 në revistën shkencore Monthly Notices of the Royal Astronomical Society. Ai drejtohet nga Patryk Sofia Lykawka, profesor në Universitetin e Queenslandit Jugor në Australi.
Ndryshe nga Planeti Nëntë
Ekipi shkencor e ka emërtuar planetin hipotetik “Planeti X2” (PX2), duke e dalluar nga i ashtuquajturi Planeti Nëntë, për të cilin astronomët kanë hedhur prej vitesh hipotezën se mund të jetë një super-Tokë me masë 5 deri në 10 herë më të madhe se planeti ynë.
Sipas modeleve të mëparshme, Planeti Nëntë mund të ndodhet në një orbitë që varion nga 380 deri në 500 njësi astronomike larg Diellit. Kjo hipotezë u mbështet fillimisht në rreshtimin e dukshëm të orbitave të disa objekteve shumë të largëta në skajet e Sistemit Diellor.
Megjithatë, disa studime të pavarura kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë statistikore të këtij fenomeni, duke sugjeruar se ai mund të jetë rezultat i mënyrës së vëzhgimit dhe numrit të kufizuar të objekteve të identifikuara deri më tani.
Ndryshe nga Planeti Nëntë, PX2 mendohet të ketë një masë shumë më të vogël, rreth një deri në dy masa të Tokës, ndërsa modeli më i mundshëm parashikon një masë sa dyfishi i planetit tonë.
Sipas simulimeve, ai do të ndiqte një orbitë eliptike, me një distancë mesatare nga Dielli prej 350 deri në 500 njësish astronomike, pa iu afruar kurrë më shumë se 200 njësi astronomike.
Studiuesit theksojnë se, duke qenë se Planeti X2 dhe Planeti Nëntë mund të shpjegojnë anomali të ndryshme në Sistemin Diellor, teorikisht është e mundur që të dy të ekzistojnë njëkohësisht.
Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të ekzistojë vetëm njëri prej tyre, apo që të dy hipotezat të rezultojnë të pasakta nëse zbulohen shpjegime të tjera për lëvizjen e pazakontë të trupave qiellorë në hapësirën përtej Neptunit./mxh
