Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
Seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës është shoqëruar me përplasje të ashpra verbale mes Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe drejtuesve të seancës, pas akuzave të drejtpërdrejta që lideri i opozitës drejtoi ndaj Kryeministrit Albin Kurti.
Akuzat për energjinë dhe “oligarkët”
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj e ka cilësuar prezantimin e kryeministrit si një “mashtrim ideal”, duke e bërë atë përgjegjës të drejtpërdrejtë për koston e lartë të jetesës dhe shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike.
“Sot erdhi mashtruesi para nesh me një mashtrim ideal. Ju lutem, mashtrimi nuk është fyerje. Sot ndodhi një mashtrim në këtë foltore e po dua ta demaskoj,” deklaroi Haradinaj, duke iu kundërvënë vërejtjeve fillestare për fjalorin.
Më tej, ai hodhi akuza të rënda për lidhje korruptive në sektorin e energjisë, duke pretenduar se njerëz të afërt me pushtetin po pasurohen përmes kompanive të reja.
“Oligarkët tuaj, kryeministër, janë duke shitur e duke blerë energji. Edhe po u shtohen kompanitë përditë njerëzve të afërm të tu,” shtoi ai.
Përplasja me Albulena Haxhiun
Tensioni arriti kulmin kur Haradinaj përdori një gjuhë të ashpër metaforike, duke akuzuar Kurtin se shpenzon fonde për të financuar sulme ndaj kundërshtarëve.
“Kurti shpenzon më së shumti para duke ushqyer zagarë për t’i fyer shqiptarët,” ishte fjalia që shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Albulena Haxhiut.
