Last Updated on 30/09/2026 by EL
Një përleshje e dhunshme ka ndodhur mes të burgosurve shqiptarë dhe algjerianëve në burgun e Domokosit, në Greqi.
Për shkaqe që ende nuk janë bërë të ditura, 6 prej tyre të moshave 26 deri në 41 vjeç, kanë mbetur te plagosur.
Sipas raportimeve të mediave greke, përleshja ka shpërthyer, në të njëjtin krah të institucionit ku më herët ishin shënuar edhe incidente të tjera.
Të plagosurit u transportuan fillimisht në Qendrën Shëndetësore të Domokosit, ku katër prej tyre iu nënshtruan një transporti urgjent me ambulancat e EKAB-it drejt Spitalit të Përgjithshëm të Lamias.
Mes të plagosurve është edhe një sirian 29-vjeçar, i cili ka pësuar një dëmtim të rëndë në kokë. Ai është dërguar menjëherë në sallën e operacionit dhe, sipas mjekëve, gjendja e tij është veçanërisht e rëndë.
Një tjetër i burgosur ka pësuar plagë nga një objekt i mprehtë, që raportohet të ketë qenë një thikë e improvizuar. Për shkak të dëmtimeve, ai ka pasur nevojë për ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.
Dy të burgosur të tjerë kanë marrë ndihmë mjekësore për dëmtime më të lehta dhe kanë mbetur nën kujdesin e mjekëve në spital. Edhe dy të burgosur të tjerë u transportuan më pas për trajtim mjekësor.
Ndërkohë autoritetet greke pritet të hetojnë shkaqet që çuan në përleshje dhe rrethanat e sakta të incidentit./et
