Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Tre faza të operacionit policor të koduar “Siguria” janë finalizuar në Fier dhe Lushnjë, ku janë sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak dhe dy maska silikoni. Në kuadër të operacionit janë arrestuar katër persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Në Fier, në pranga ka rënë një 42-vjeçar Suad Mernica, i cili u kap duke qarkulluar me lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit, policia i gjeti edhe dy maska silikoni, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e veprimtarive kriminale.
Në fazën e dytë të operacionit, po në Fier, u arrestuan dy persona, babë e bir, Zija Troka, 60 vjeç dhe Endrit Troka, 25 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia gjeti dhe sekuestroi një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.
Ndërkohë, faza e tretë e operacionit u zhvillua në Lushnjë, ku pas një hetimi disa javor, policia arrestoi shtetasin Misir Blliku dhe shpalli në kërkim djalin e tij, 32-vjeçarin L. B.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre u sekuestruan dy kallashnikovë, municion luftarak dhe një armë gjahu. Sipas policisë, dyshohet paraprakisht se armët e zjarrit të gjetura në Lushnjë janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më parë.
Të gjitha armët e sekuestruara në Fier dhe Lushnjë do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore, me qëllim verifikimin nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e 32-vjeçarit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme./ad
