Forca të shumta policie kanë shoqëruar aktivistin Arben Kola dhe një protestues tjetër në zonën pranë Rrugës së Elbasanit, ku qytetarët dhe aktivistët vijojnë protestën e kësaj të hëne në Tiranë.
Shoqërimi i tyre erdhi pasi protestuesit, për shkak të bllokadës së vendosur nga Policia e Shtetit përpara Parlamentit, kanë ndryshuar itinerarin e tubimit, duke marshuar fillimisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe më pas drejt Unazës së Madhe.
Sipas burimeve, tre protestues janë shoqëruar nga Policia e Shtetit, ndërsa dy të tjerë kanë shfaqur probleme shëndetësore si pasojë e përdorimit të sprajit nga efektivët e policisë gjatë ndërhyrjes në protestë.
Protestuesit janë pozicionuar pranë kryqëzimit të Rrugës së Elbasanit, ku kanë ndodhur edhe shoqërimet e para nga policia gjatë protestës së sotme.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura arsyet e shoqërimit të dy personave, ndërsa nuk ka ende një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit për këtë veprim.
Ndërkohë, protesta vijon në zonë, ndërsa forca të shumta policore janë të angazhuara për menaxhimin e situatës./kb
