Polonia ka marrë zyrtarisht avionët e parë luftarakë F-35, duke sjellë për herë të parë këto mjete të avancuara ushtarake në krahun lindor të NATO-s.
Ceremonia e dorëzimit u zhvillua këtë të premte, ku autoritetet polake dhe amerikane vlerësuan partneritetin strategjik mes dy vendeve. Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, deklaroi se marrëdhëniet mes Varshavës dhe Uashingtonit janë më të rëndësishme se kurrë.
KAROL NAWROCKI, PRESIDENT I POLONISË:
“Marrëdhënia strategjike dhe partneriteti mes Polonisë dhe Shteteve të Bashkuara janë shumë të nevojshme sot, si për Poloninë ashtu edhe për SHBA-në. Ato mbështeten në vlera të përbashkëta, si liria, pavarësia, sovraniteti dhe demokracia.”
F-35 është një avion luftarak i gjeneratës së pestë, i aftë të kryejë operacione kundër objektivave tokësore dhe ajrore. Ai përdoret nga forcat amerikane që prej vitit 2015 dhe ka luajtur rol në operacionet ushtarake në Lindjen e Mesme.
Në ceremoni mori pjesë edhe nënsekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armëve dhe Sigurinë Ndërkombëtare, Thomas DiNanno, i cili e cilësoi Poloninë si një aleate model të Shteteve të Bashkuara.
SINKRON – THOMAS DINANNO, NËNSEKRETAR I SHTETIT I SHBA-së
“Polonia nuk ka pritur që të tjerët të garantojnë të ardhmen e saj. Ajo ka investuar me vendosmëri në mbrojtjen e vet dhe SHBA-ja është krenare të qëndrojë përkrah një aleati që i merr kaq seriozisht përgjegjësitë e tij. Sipas çdo standardi, Polonia është një aleate model.”
Polonia, e cila kufizohet me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, ka porositur gjithsej 32 avionë F-35 për forcat e saj ajrore. Ajo bëhet vendi i parë i krahut lindor të NATO-s që merr në përdorim këta avionë modernë, duke forcuar më tej kapacitetet mbrojtëse të aleancës në rajon./mxh
