Portugalia ka bërë një ndryshim të përhershëm në fanellën me numrin 7, për të nderuar trashëgiminë e Cristiano Ronaldos dhe për të siguruar që ky numër të mbetet përgjithmonë i lidhur me ikonën e saj më të madhe të futbollit.
Ish-sulmuesi, karriera e të cilit zgjati 23 vjet dhe përfshiu 246 ndeshje, gjatë të cilave shënoi 146 gola, njoftoi tërheqjen e tij më 5 nëntor, pas një konflikti me trajnerin Jorge Jesus. Paraqitja e tij e fundit për Portugalinë ishte më 24 shtator, në një fitore 1-0 në shtëpi kundër Uellsit, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Para përballjes së tyre në Ligën e Kombeve kundër Danimarkës, Portugalia njoftoi në rrjetet sociale një ndryshim të veçantë në dizajnin e fanellës ikonike me numrin 7, duke siguruar kështu që versioni i Ronaldos të mbetet i përjetësuar.
Ky ndryshim i vogël në numrin 7 shërben si një njohje e karrierës së yllit portugez, gjatë së cilës ai theu rekordin absolut të golave të shënuar në futbollin e meshkujve. Ai udhëhoqi kombëtaren e tij drejt fitimit të trofeut të parë të madh në “Euro 2016”, ndërsa më vonë shtoi edhe dy tituj të Ligës së Kombeve, në vitet 2019 dhe 2025.

Portugalia gjithashtu do t’i bëjë homazhe Ronaldos para dhe gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Danimarkës, e cila do të zhvillohet të shtunën në Braga.
“Është koha për të prezantuar një numër 7 të ri. Sepse ekziston një që do të mbetet i përjetshëm,”, shkroi kombëtarja portugeze në rrjetet sociale të shtunën. Postimi përfshinte edhe një emoji dhie, që në zhargonin sportiv nënkupton “Më i Madhi i të Gjitha Kohërave” (Greatest Of All Time).
Gjithashtu, ata publikuan një video që shfaqte një vijë tërthore mbi numrin 7, duke lënë të kuptohet se pasardhësit e Ronaldos do ta kenë këtë “shenjë” sa herë që do ta veshin këtë numër./ad
