Një kapitull i ri dhe plot emocione nis për Pranverën dhe Marjanin, të cilët kanë ndarë me publikun një nga lajmet më të bukura të familjes së tyre. Çifti po pret fëmijën e dytë, duke i dhënë një tjetër kuptim festës së ditëlindjes së djalit të tyre, Janit.
Për ta bërë publik lajmin, ata kanë zgjedhur të ndajnë një video ku kanë përfshirë edhe çastin kur zbulojnë shtatzëninë. Pamjet përcjellin emocione të forta, veçanërisht nga ana e Marjanit, i cili, i surprizuar nga lajmi, mbulon fytyrën me duar, duke mos arritur ta fshehë gëzimin e tij.
Ky njoftim merr një domethënie edhe më të veçantë për familjen, pasi përkon me ditëlindjen e dytë të Janit. Pikërisht në këtë ditë, vogëlushi mëson se shumë shpejt do të ketë një rol të ri në familje: atë të vëllait të madh.
“Dy vite më parë Jani na bëri prindër për herë të parë, e sot, në ditëlindjen e tij të dytë, po ndajmë me ju lajmin se së shpejti do të bëhet vëllai i madh”, shkruan çifti krahas videos.
Një ditë e mbushur me festë, dashuri dhe emocione të shumëfishta për Pranverën dhe Marjanin, të cilët tashmë kanë një tjetër arsye për të pritur me padurim momentet e bukura që i presin./mxh
