Last Updated on 01/11/2026 by Monika
Topi i Artë përfshihet sërish në polemika, këtë herë për shkak të dyshimeve për një rrjedhje të mundshme informacioni përpara ceremonisë së ndarjes së çmimeve.
Revista prestigjioze France Football ka dorëzuar pranë policisë franceze të dhënat për disa baste të vendosura përpara ceremonisë, pasi disa llogari në platformën Polymarket parashikuan jo vetëm fituesin, por edhe renditjen e saktë të pesë futbollistëve të parë.
Sipas një investigimi të publikuar nga Upside, 12 llogari kanë vendosur rreth 264 mijë dollarë baste të lidhura me çmimin. Shtatë prej tyre nuk kishin aktivitet të mëparshëm në tregje të tjera, ndërsa gjashtë ishin krijuar vetëm pak minuta përpara vendosjes së basteve.
Parashikimet rezultuan identike me klasifikimin zyrtar: Harry Kane në vendin e parë, i ndjekur nga Kylian Mbappe, Lamine Yamal, Rodri dhe Leo Messi.
Saktësia e këtyre parashikimeve dyshohet se u ka siguruar personave të përfshirë rreth 200 mijë dollarë fitim, ose afro 180 mijë euro.
Një nga rastet më të dyshimta është ai i një llogarie që fillimisht kishte vënë bast për fitoren e Kane, ndërsa më pas, pasi vlera e kontratave u rrit, një pjesë e fitimeve u orientua drejt basteve më specifike për renditjen përfundimtare.
Por pyetja kryesore mbetet: nga erdhi informacioni?
France Football e ruan me konfidencialitet të lartë rezultatin përpara ceremonisë dhe tashmë ka kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve për të zbardhur ngjarjen.
Megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë provë që vërteton ekzistencën e një informacioni të privilegjuar apo lidhjen e këtyre llogarive me organizatorët e Topit të Artë.
Hetimet pritet të zbulojnë nëse kemi të bëjmë me një rrjedhje informacioni, me një strategji të bazuar në burime të tjera apo thjesht me një rastësi jashtëzakonisht të saktë./mxh
