Thashethemet për një martesë të fshehtë mes këngëtares së njohur Adele dhe partnerit të saj, Rich Paul, janë rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Këtë herë ka qenë vetë menaxheri sportiv ai që ka nxitur dyshimet, pasi iu referua artistes si “bashkëshortja ime” gjatë një bisede në një video të publikuar nga Media Haus Co.
Rich Paul u shfaq së fundmi në një video me aktorin dhe krijuesin e përmbajtjes Rel Tate, i cili e sfidoi të zgjidhte një fjalëkryq brenda 60 sekondave. I vendosur përballë sfidës, 45-vjeçari u shfaq disi i tensionuar dhe komentoi me humor se koha nuk ishte e mjaftueshme për të treguar njohuritë e tij.
Kur Rel Tate e pyeti se kur kishte zgjidhur për herë të fundit një lojë me fjalë, Rich Paul u përgjigj: “Mik, ka kaluar shumë kohë. Por bashkëshortja ime i bën çdo mëngjes”.
Pikërisht kjo përgjigje ka tërhequr vëmendjen e fansave, duke rikthyer pyetjen nëse Adele dhe Rich Paul e kanë kurorëzuar dashurinë e tyre larg syve të publikut.
Çifti nisi njohjen në vitin 2021, teksa u fotografua për herë të parë së bashku gjatë një ndeshjeje të NBA-së. Që prej asaj kohe, dyshja është shfaqur gjithnjë e më shpesh në publik, duke mos e fshehur marrëdhënien e tyre.
Në vitin 2024, Adele dhe Rich Paul konfirmuan se ishin fejuar. Gjatë një koncerti në Mynih të Gjermanisë, një fans nga publiku i propozoi këngëtares në mënyrë humoristike, por ajo iu përgjigj se nuk mund ta pranonte, pasi ishte tashmë në prag të martesës.
Që nga ai moment, Adele ka nxitur disa herë spekulimet për një martesë të mundshme, duke iu referuar partnerit të saj si “bashkëshorti”. Këto deklarata kanë bërë që fansat të dyshojnë se çifti mund të jetë martuar në fshehtësi.
Megjithatë, pavarësisht aludimeve të shumta dhe deklaratave që kanë shtuar kuriozitetin e publikut, as Adele dhe as Rich Paul nuk e kanë konfirmuar apo mohuar zyrtarisht nëse janë martuar./mxh
