Last Updated on 18/12/2024 by adminfjala
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi mbrëmjen e sotme takim me pedagogët në selinë e PD-së.
Berisha premtoi se nëse vjen në pushtet do të heqë notën mesatare për t’u regjistruar në universitet.
Ai deklaroi se nota mesatare privon arsimin, pasi pretendoi se të gjithë gjimnazet periferike e kanë nën 6.5.
“Europa provoi për herë të parë në histori narkoshtetin dhe narkodiktaturën. E përcolli me indiferencë, por tani ky është një realitet i hidhur që duhet të shpëtojmë ne dhe Europa prej saj.
Ndaj dhe, duke u garantuar ju se programin e arsimit të lartë, do e hartoni ju me ekspertizën më të mirë, dhe se qeveria e PD do bëjë gjithçka për zbatimin e saj, rikthimin e universiteteve në qendra të fuqishme kërkimore dhe shkencore, heqjen e diskriminimit, ndëshkimit në pranimet universitare me të ashtuquajturën mesatare.
U ndëshkuan të gjitha zonat e varfra të vendit, kjo merr fund. Nga vitet ’80 të shekullit të kaluar e në vazhdim, vendet e lira i kanë të hapura dyert e universiteteve për fëmijët e tyre. Kjo është e vërteta.
Po këta kanë një mendësi, çfarë t’u thuash mendësisë së tyre… Po të shkosh të marrësh të gjithë gjimnazet periferike, e kanë nën 6.5 mesataren. E privon arsimin nga njëri nga funksionet bazë që është edhe lufta kundër varfërisë. E privon nga funksion, midis të tjerash. Ndaj këto kohë që kanë mbetur, le të jenë kohë beteje për të vërtetat që ne besojmë.
Betejë për t’u dhënë shqiptarëve sistemin arsimor më cilësor të mundshëm në kushtet e këtij vendi. E njëjta gjë për shëndetësinë, por sot jemi te arsimi. Ndaj dhe i ftoj edhe gjimnazistët, të mos harrojnë se në vitin e ri universitar, pa mesataren e partisë. Të hapura dyert. Dhe jo vetëm kaq, po minimumi jetik do aplikohet për çdo student, 200 euro.
Karta e studentit do të pasurohet me një seri lehtësirash të tjera. Ne, siç kam deklaruar këto ditë, do të fusim gjerësisht në përdorim kartën e konsumatorit për të rikthyer TVSH-në pensionistëve, rrogëulurve dhe atyre që janë në nevojë. Por studentët nuk mund të mos jenë përfitues si këta të tjerët”, theksoi kreu i PD-së./ S.M