Last Updated on 21/07/2026 by EL
Presidenti i CONMEBOL, Alejandro Dominguez, ka thënë në rrjetet sociale se Kupa e Botës 2030 do të jetë një “turne me 64 ekipe”.
“Në vitin 2030, Kupa e Botës vjen në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai, një mundësi e shkëlqyer për futbollin, për të festuar 100-vjetorin e Kupës së Botës me një turne me 64 ekipe”, ka shkruar në X Dominguez.
Kupa e Botës 2030 do të organizohet nga Spanja, Maroku dhe Portugalia dhe tre ndeshje përkujtimore do të luhen në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai.
Kupa e Botës 2026 shënoi herën e parë që 48 ekipe morën pjesë në këtë garë. FIFA tani po shqyrton mundësinë e një Kupe Bote me 64 ekipe.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga FIFA për këtë çështje. Megjithatë, më 12 korrik, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, konfirmoi se organizata do të diskutojë zgjerimin e Kupës së Botës për meshkuj në 64 ekipe pas turneut të vitit 2026.
“Kjo është sigurisht një çështje që do të shqyrtohet dhe diskutohet në komitetet përkatëse pas këtij Kupe Bote”, tha presidenti i FIFA-s .
“Kur organizon një Kupë Bote, është e rëndësishme që ta organizosh atë për të gjithë botën. Nuk është vetëm Evropa dhe Amerika e Jugut, por në fakt e gjithë bota. Çdo komb duhet të jetë në gjendje të ëndërrojë të marrë pjesë në Kupën e Botës. Mund të shohim se cilësia e ekipeve është jashtëzakonisht e lartë dhe po bëhet gjithnjë e më e lartë kudo në botë. Nëse nuk u jepni vendeve më të vogla mundësinë për të marrë pjesë në Kupën e Botës, ato humbasin edhe nxitjen për të vazhduar përmirësimin”, theksoi ai.
Nëse do të zhvillohej një Kupë Bote me 64 ekipe, ajo do të përbëhej nga 128 ndeshje, dyfishi i numrit të luajtur sipas formatit me 32 ekipe të përdorur nga viti 1998 deri në vitin 2022. Turneu i këtij viti paraqiti 104 ndeshje./et
