Last Updated on 17/10/2026 by EL
Krijimi i vendeve të punës për brezin e ri dhe mobilizimi i investimeve për zhvillim janë dy prioritetet kryesore ku duhet të përqendrohen ekonomitë në dekadat e ardhshme, deklaroi presidenti i Grupit të Bankës Botërore, Ajay Banga, gjatë Takimeve Vjetore në Bangkok.
Duke iu drejtuar ministrave të financave dhe liderëve botërorë, Banga paralajmëroi se gjatë 10-15 viteve të ardhshme, 1,2 miliardë të rinj do të hyjnë në tregun e punës, ndërsa parashikimet flasin për krijimin e vetëm 400 milionë vendeve të reja të punës.
Sipas tij, kjo diferencë përbën një sfidë të rëndësishme ekonomike dhe sociale, që kërkon bashkëpunim më të madh mes sektorit publik dhe atij privat, si dhe përdorim më efikas të burimeve financiare. Banga vuri në dukje se konfliktet, rritja e barrës së borxhit publik dhe kostot e larta të energjisë dhe plehrave kimike po krijojnë vështirësi shtesë për ekonomitë. Përballë këtyre sfidave, ai kërkoi një model zhvillimi që kombinon financimin publik, kapitalin privat, filantropinë dhe teknologjinë, në përputhje me nevojat e vendeve.
Presidenti i Bankës Botërore bëri të ditur se kapitali privat i mobilizuar nga institucioni arriti në 112 miliardë dollarë vitin e kaluar, nga rreth 35 miliardë dollarë në vitin fiskal 2022. Së bashku me financimin e vetë Grupit, mbështetja financiare totale kaloi 230 miliardë dollarë.
Ai theksoi se investimet në infrastrukturë, zhvillimin e aftësive dhe zgjerimin e mundësive për sipërmarrjen janë thelbësore për krijimin e vendeve të reja të punës.
“Një vend pune nuk është thjesht një statistikë. Një vend pune është dinjitet”, u shpreh Banga, duke nënvizuar se hendeku i parashikuar në tregun e punës nuk është i pashmangshëm dhe se bashkëpunimi ndërkombëtar mund të ndihmojë në zgjerimin e mundësive për brezin e ri.
Ai tha se, e ardhmja e zhvillimit do të varet nga aftësia për të bashkuar financat publike, investimet private, filantropinë dhe teknologjinë rreth nevojave specifike të çdo vendi. “Ky partneritet dhe kombinimi i këtyre burimeve duhet të evoluojë paralelisht me zhvillimin e vetë vendeve. Aty ku nevojat dhe rreziqet janë më të mëdha, financimi publik dhe ai koncesionar do të mbeten thelbësorë. Ndërsa vendet bëhen më të forta ekonomikisht, investimet private dhe aksesi në tregje duhet të luajnë një rol gjithnjë e më të madh”, tha ai.
Presidenti i Grupit të BB, Ajay Banga deklaroi se, “Objektivi nuk është të rikrijojmë modelin e zhvillimit të brezit të kaluar, por të ndërtojmë një model që i përgjigjet pritshmërive të brezit të ardhshëm. Një model që evoluon së bashku me vendet”. Sipas tij, financim publik aty ku tregjet ende nuk mund të arrijnë. Kapital privat aty ku mund të krijojë vende pune dhe të zgjerojë aktivitetin ekonomik. Filantropi për të marrë përsipër rreziqet fillestare dhe për të mundësuar ide të reja.
Ai nënvizoi se, fokusi eshte tek teknologjia për te bërë që çdo dollar të ketë ndikim më të madh. “Kjo është e ardhmja e zhvillimit drejt së cilës po punojmë”, u shpreh ai.
