Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka përgënjeshtruar pretendimet qwse një avion nga Izraeli do të sillte pajisje për Policinë e Shtetit, duke e cilësuar informacionin si të fabrikuar. Sipas zëdhënësit të ministrisë, Alteo Hysi, pretendimi u përhap një ditë më parë në rrjetet sociale, i paraqitur si një raport inteligjence për t’i dhënë më shumë besueshmëri.
“Vetëm pak ditë më parë qarkulloi pretendimi, i shoqëruar edhe me imazhe të fabrikuara, se Policia e Shtetit kishte kërkuar ndihmën e një vendi fqinj për të sjellë forca shtesë policore në Shqipëri. Siç ndodh rëndom, lajmi bëri xhiron e rrjeteve sociale përpara se të përgënjeshtrohej. E njëjta gjë ndodhi me pretendimin për një numër të shtuar fluturimesh nga Izraeli, i cili u përgënjeshtrua nga Aeroporti “Nënë Tereza”.Dje mori dhenë një tjetër pretendim, këtë herë i veshur me petkun e një “intelligence report” për t’i dhënë më shumë besueshmëri, sipas të cilit një avion nga Izraeli do të sillte pajisje për policinë. Edhe ky pretendim bëri xhiron e zakonshme dhe, edhe këtë herë, bëhet fjalë thjesht për një fabrikim. Lajme të tilla të rreme janë të papërgjegjshme dhe të dënueshme” thuhet në reagimin e Hysit.
Ministria paralajmëron se lajmet e rreme, kur përhapen qëllimisht për të nxitur pasiguri dhe tensione, mund të kthehen në mjete manipulimi. Hysi thekson se përfshirja e mundshme e aktorëve të huaj në raste të tilla përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare.
“Kur fabrikohen dhe shpërndahen me synimin për të nxitur mosbesim, pasiguri apo tensione në shoqëri, ato shndërrohen në instrumente të manipulimit të informacionit. Kur pas tyre qëndrojnë, ose ato nxiten e amplifikohen nga aktorë të huaj, kemi të bëjmë me një dimension edhe më shqetësues: ndërhyrjen e huaj përmes manipulimit të informacionit, e cila përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare, besimin publik, kohezionin shoqëror dhe funksionimin e institucioneve demokratike” thotë Hysi.
Për këtë arsye, Hysi argumenton se verifikimi i fakteve sot është edhe përgjegjësi qytetare.
“Në një epokë kur informacioni përhapet me shpejtësi të jashtëzakonshme, verifikimi i fakteve përpara se të besojmë apo të shpërndajmë një lajm nuk është vetëm përgjegjësi e medias. Është edhe përgjegjësi qytetare. Çdo shpërndarje e pakontrolluar mund t’i japë jetë një gënjeshtre dhe ta shndërrojë atë, në perceptimin publik, në një “realitet” të rremë, me pasoja potencialisht të rrezikshme për rendin publik, sigurinë, besimin te institucionet dhe funksionimin normal të demokracisë. Jo çdo gjë që qarkullon është lajm. Dhe jo çdo lajm që qarkullon është i vërtetë. Verifikimi i fakteve është mburoja më e mirë ndaj manipulimit; përgjegjësia në informim, mbrojtja më e mirë ndaj dezinformimit” përfundon zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme./k.m
