Last Updated on 04/05/2026 by Anisa
Komisioni Europian, sipas mediave greke, ka vendosur të lehtësojë zbatimin e Sistemit të Ri të Hyrje/Daljeve, EES, me qëllimin të shmangen radhët e gjata të krijuara gjatë kësaj periudhe, duke shtuar presionet në kufijtë europiane.
KE-ja duket se do të lejojë shtetet anëtare të aplikojnë fleksibilitet në zbatimin e këtij sistemi, pas problemeve të mëdha të regjistruara nëpër aeroporte që kanë sjellë vonesa të shumta e fluturime të humbura. Zyrtarët e Komisionit theksuan se nuk bëhet fjalë për një pezullim të sistemit, por për një “fleksibilitet të integruar”, që lejon autoritetet kufitare të ndalojnë përkohësisht disa procedura, si regjistrimi biometrik, gjatë periudhave me trafik të lartë.
Sipas të dhënave të KE-së, koha mesatare e përpunimit për udhëtar është rreth 70 sekonda, dhe që nga tetori sistemi ka regjistruar rreth 61 milion hyrje dhe dalje. Por sërish disa vende anëtare po hasin probleme, dhe linjat ajrore dhe disa qeveri (përfshirë Greqinë, Francën, Belgjikën dhe Italinë) kanë kërkuar pezullim të plotë të sistemit deri në shtator, duke shprehur shqetësime për vonesa gjatë sezonit të lartë të udhëtimeve. Sistemi ka rëndësi të veçantë për destinacionet turistike si Greqia, ku rreziku i bllokimeve në kufij është i lartë.Disa kompani ajrore nënvizojnë se çmimin e kësaj situate të rënduar po e paguajnë pasagjerët dhe kërkojnë që vendet e zonës Shengen ta pezullojnë sistemin për disa muaj.
