Last Updated on 04/11/2026 by Monika
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Nikola Kedhi ka folur mbi Raportin e Këshillit Europian për Shqipërinë 2026. Ai e ka etiketuar këtë raport të rëndësishëm si një “kambanë alrmi”, duke e cilësuar raportin si një letër pohuese të të gjitha akuzave dhe shqetësimeve të ngritura nga partia ku ai aderon, Partia Demokratike.
Kedhi thekson se raporti sqaron mungesën e kontrollit parlamentar mbi qeverinë e mazhorancën, korrupsionin në nivele alarmante pa harruar dhe dhunën policore ndaj protestuesve, ushtruar nga Policia e Shtetit.
Reagimi i plotë i Nikola Kedhit:
“Raporti i Komisionit Europian për vitin 2026 është një kambanë alarmi për Shqipërinë dhe konfirmim i shqetësimeve që Partia Demokratike ka ngritur vazhdimisht. Nuk është opozita, por vetë KE që konstaton se Parlamenti nuk kontrollon siç duhet qeverinë, se kërkesat e opozitës për komisione hetimore refuzohen sistematikisht, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk zbatohen dhe pengimi i heqjes së imunitetit parlamentar ngre shqetësime serioze për barazinë përpara ligjit. Raporti evidenton ndërhyrjet politike në drejtësi, korrupsionin e nivelit të lartë dhe cenueshmërinë e Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit.
Komisioni i cilëson protestat e nisura në maj si mobilizimin më të madh qytetar që prej tranzicionit demokratik, duke evidentuar edhe dhunën e tepruar policore ndaj protestuesve dhe gazetarëve
Edhe më alarmante janë konstatimet për modelin ekonomik që kemi denoncuar prej kohësh. Rreth 23.5% e tenderëve publikë kanë vetëm një ofertues, ndërsa në tenderët me vlerë të lartë kjo shifër arrin në 29%. Komisioni ngre shqetësime për privilegjet e investitorëve strategjikë, shmangien e konkurrencës, koncesionet, pasigurinë e pronësisë dhe rreziqet e pastrimit të parave nga e ashtuquajtura Paqe Fiskale.
Ndërkohë eksportet industriale bien për të tretin vit radhazi, industria dhe bujqësia tkurren, informaliteti përbën një të tretën e ekonomisë dhe bujqësia përfiton vetëm 2% të kredive për bizneset. Komisioni konfirmon se dobësimi i ekonomisë prodhuese është strukturor, jo i përkohshëm.
Ky raport dëshmon domosdoshmërinë e ndryshimit rrënjësor të modelit politik dhe ekonomik të Shqipërisë. Një vend nuk mund të ndërtojë prosperitet mbi privilegjet e një grushti njerëzish, ndërsa prodhimi vendas dobësohet, sipërmarrja e ndershme pengohet dhe institucionet humbasin aftësinë për të kontrolluar pushtetin.
Integrimi është aspirata historike e shqiptarëve, por procesi i integrimit duhet të jetë një gatanci për demokracinë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien.
Shqipëria ka nevojë për një ekonomi që prodhon, një shtet që garanton konkurrencën e lirë dhe një Republikë ku pushteti i shërben qytetarit e jo të privilegjuarve të Ramës.”, tha nënkryetari Kedhi./mxh
