Last Updated on 04/11/2026 by Monika
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla është shprehur në lidhje me publikimin e Raportit Vjetor të Progresit të vitit 2027 për Shqipërinë nga Bashkimi Europian.
Balla thekson se momenti i tanishëm është më optimali për rrugën drejt BE-së, duke parë se europianët sipas tij, po e mbajnë derën të hapur me mundësitë për Shqipërinë janë më reale se kurrë.
Sipas Ballës, Shqipëria është vlerësuar më shumë se kurrë më parë nga BE-ja dhe ky raport është një hap drejt objektivit madhor.
Për Ballën, mllefet dhe gjelozitë mund të vazhdojnë, ndërkohë që vendi ynë triumfgon dhe ecën me kokën lart.
Postimi i plotë Ballës në rrjetet sociale:
“BE bën publik Raportin Vjetor të Progresit 2027
Shqipëria vlerësohet më lart se sa asnjëherë më parë. Një tjetër moment krenarie për Shqipërinë Europiane. Një tjetër dëftesë notash domethënëse dhe inkurajuese nga Komisioni Europian.
Një tjetër hap përpara drejt objektivit historik të bashkimit me Europën.
Por detyrat përpara nesh janë ende të shumta, kurse koha e kalendarit të ngjeshur të negociatave gjithnjë e më e ngushtë.
Dhe ky vlerësim nuk i bën as më të vogla, as më pak aktuale problematikat e jetës së përditshme të vendit, të cilat kanë pasur, kanë dhe do të kenë të gjithë vëmendjen time, të qeverisë, të shumicës parlamentare. Përkundrazi, vlerësimi i lartë i raportit të sotëm na motivon për të bërë ende më shumë dhe për t’i bërë gjërat ende më mirë.
Momenti është optimal. Dera e BE është e hapur dhe mundësia e hyrjes është më reale se kurrë. Historia nuk do të na e falte kurrësesi mbytjen në lugën e ujit të pistë të dasive, mllefeve e gjelozive që e kanë penguar vazhdimisht Shqipërinë të ngrihet në lartësinë e potencialit të saj.
Kokën lart dhe përpara Shqipëri”, – u shpreh Balla./mxh
