Familjet shqiptare mund të përfitojnë grante, subvencione dhe kredi me kushte të favorshme për përmirësimin e eficiencës energjetike të banesave, ndërsa investimet e financuara nga një fond i ri shtetëror do të mund të shlyhen me këste deri në 15 vjet, në varësi të kursimeve të realizuara në konsumin e energjisë.
Këto janë disa nga masat që parashikon projektligji i ri “Për eficiencën energjetike”, i miratuar të enjten në qeveri dhe i cili synon të krijojë mekanizma financimi për uljen e konsumit dhe të kostove të energjisë për familjet, bizneset dhe institucionet publike.
Drafti parashikon krijimin e e Fondit Kombëtar për Eficiencën e Energjisë, një institucion i ri që do të financojë ose bashkëfinancojë investime për rinovimin energjetik të ndërtesave, zëvendësimin e sistemeve joeficiente të ngrohjes dhe ndërhyrje të tjera që mundësojnë kursimin e energjisë.
Projektligji u kushton vëmendje të veçantë familjeve me të ardhura të ulëta, atyre që përballen me varfëri energjetike dhe banesave sociale, për të cilat parashikohen instrumente të posaçme mbështetjeje.
Grante, subvencione dhe kredi për përmirësimin e banesave
Sipas projektligjit, qeveria do të hartojë një plan të posaçëm për mbrojtjen e familjeve të prekura nga varfëria energjetike, ku do të përcaktohen kategoritë e përfituesve, masat financiare dhe ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve energjetike në banesa.
Mbështetja mund të përfshijë grante, subvencione, kredi bankare me kosto të përballueshme, linja të dedikuara kreditimi dhe instrumente të tjera që lehtësojnë financimin e investimeve.
Ndërhyrjet që synohen përfshijnë rinovimin energjetik të ndërtesave, përmirësimin e izolimit, zëvendësimin e sistemeve të vjetra të ngrohjes me pajisje më eficiente dhe përdorimin e teknologjive që reduktojnë konsumin e energjisë.
Po kështu krijohet mundësia e zhvillimit të skemave të pagesës përmes faturave mujore, si dhe përdorimi i fondeve të garancisë për të lehtësuar aksesin në financim.
Projektligji synon gjithashtu të adresojë vështirësitë që lindin nga ndarja e kostove dhe përfitimeve ndërmjet pronarëve dhe përdoruesve të ndërtesave, një problem që mund të pengojë investimet në banesat me qira ose në pallatet me shumë apartamente.
Krijohet Fondi Kombëtar, investimet mund të shlyhen deri në 15 vjet
Fondi Kombëtar për Eficiencën e Energjisë parashikohet të funksionojë si agjenci autonome, me seli në Tiranë dhe veprimtari në të gjithë vendin.
Fondi do të përdorë dy mekanizma financimi. I pari është komponenti qarkullues, përmes të cilit investimet financohen dhe shumat e kthyera përdoren për projekte të reja. I dyti është komponenti joqarkullues, që do të mbështesë dhënien e granteve dhe instrumenteve të tjera financiare që nuk kërkojnë kthimin e fondeve.
Sipas nenit 42 të projektligjit, një nga instrumentet kryesore do të jenë marrëveshjet për shërbime energjetike, të cilat mund të lidhen me persona fizikë ose juridikë, publikë apo privatë.
Nëpërmjet këtyre marrëveshjeve, Fondi financon investimin, ndërsa përfituesi e kthen shumën në këste, mbi bazën e kursimeve të verifikuara në kostot e energjisë. Afati maksimal i kthimit përcaktohet në 15 vjet.
Marrëveshjet do të përcaktojnë vlerën e investimit, kursimet e pritshme, numrin dhe shumën e kësteve, si dhe kushtet e shlyerjes. Në rast ndryshimi të çmimit të energjisë, mund të përshtaten këstet ose periudha e kthimit, pa tejkaluar kufirin maksimal.
Kjo skemë synon të lehtësojë realizimin e investimeve pa qenë e nevojshme që përfituesit të mbulojnë menjëherë të gjithë koston. Megjithatë, financimi i kthyeshëm nuk është i barabartë me grantin dhe përfituesit do të kenë detyrimin të shlyejnë investimin sipas marrëveshjes./Ekofin -ad
