Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar pasuritë e shtetasit A.Rr. dhe familjarëve të tij, të cilat nuk justifikohen nga të ardhura të ligjshme. Vendimi u mor nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, pas kërkesës së organit të akuzës, në kuadër të hetimeve për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Hetimet kanë zbuluar se A.Rr., i dënuar më parë për “Trafik të lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, nuk mund të justifikonte pasuritë e krijuara. Në bazë të vendimit të gjykatës, u sekuestruan:
Katër apartamente në Vlorë dhe Tiranë, në zotërim të tij dhe të familjarëve;
Tre automjete luksoze, përfshirë “Toyota Corolla”, “Volvo XC60” dhe “Mercedes GLA”.
Vlera totale e pasurive të sekuestruara arrin në 400,000 euro. Masat u morën në kuadër të sigurisë së procedimeve penale dhe për parandalimin e shpërdorimit të mundshëm të pasurive që lidhen me aktivitet kriminal./K.M
