Last Updated on 06/12/2024 by adminfjala
Shoqëria në Fier akuzohet për mosshlyerje të detyrimeve tatimore prej 9 milionë lekësh
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shoqërinë “E…” shpk dhe administratorin e saj, shtetasin A.K., të akuzuar për veprën penale “Mosshlyerja e taksave dhe tatimeve”, sipas nenit 181 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve, shoqëria ka grumbulluar detyrime tatimore prej 8,884,799 lekësh, të cilat nuk janë paguar. Edhe pse shoqëria kishte aftësi paguese, siç provohet nga transferimet dhe tërheqjet monetare nga llogaritë bankare, administratori nuk ka ndërmarrë masa për shlyerjen e detyrimeve. Përkundrazi, ai ka kryer veprime aktive duke tërhequr vlera të mëdha monetare nga llogaritë e shoqërisë.
Procedimi penal, i hapur në vitin 2020, bazohet edhe në ligjin nr. 9754 për përgjegjësinë penale të personave juridikë. Prokuroria ka riafirmuar angazhimin për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve që lidhen me shmangien e taksave dhe tatimeve, duke synuar përmbushjen e detyrimeve ndaj shtetit.
S,M