Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, ka folur sot lidhur me protestën e zhvilluar nga opozita mbrëmjen e djeshme dhe reagimin e policisë. Në një lidhje me “Syri TV”, Baçi e cilësoi sjelljen e policisë si “më e dhunshmja ndonjëherë”.
“Ka pasur mbi 1000 policë në gatishmëri dhe të parapërgatitur për të provokuar protestuesit. Në fund të protestës reaguan shumë ashpër. Policia është sjellë në mënyrën më të dhunshme ndonjëherë. Arritën deri te selia e PD-së, duke hedhur gaz lotsjellës. Në çdo rrugë të Tiranës po kapnin qytetarë të lirë që nuk kishin lidhje me protestën. Shumë punonjës policie me kapuçë në kokë, që dukeshin si banditë, shoqëronin njerëzit dhe vetëm kur i shihnim që i futnin në makinat e policisë. U futëm në komisariat dhe i pamë protestuesit të mbyllur nëpër dhoma a thu ishin banditë që mbahenin të izoluar. Ndaj policisë duhet të bëjmë kallëzime penale për mënyrën se si sillen me protestuesit. Policia nuk udhëhiqet nga ligji, por është një polici politike dhe vepron si një organizatë e PS-së.
Vetë qytetarët kanë parë veprimet e policisë që janë bërë pasi protesta kishte mbaruar dhe qytetarët ishin shpërndarë. Policia ka sulmuar në mënyrë të paprecedentë në oborrin e selisë, xhami, rrugë. Është një humbje kontrolli e Policisë së Shtetit. 20 shkurti ishte një përsëritje e ’91, por në një format tjetër. Më shumë janë irrituar dhe revoltuar qytetarët. Të gjithë protestuesit që janë lërë të lirë, telefonat jua kanë mbajtur, me qëllimin e vetëm që mos të marrin pjesë në protestën e radhës”, tha Baçi. /Kb
