Opozita ka reaguar pas thirrjes së kryeministrit Edi Rama për dialog me studentët, pas shtatë ditësh protestash të dhunshme. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, e krahasoi Ramën me presidentin bjellorus Aleksandër Lukashenko, duke thënë se diktatorët kërkojnë të fitojnë kohë dhe jo të zgjidhin problemet.
Bardhi e akuzoi kryeministrin për kërcënime ndaj studentëve, të rinjve dhe prindërve të tyre. Sipas tij, diktatorët veprojnë njësoj, përmes frikësimit, dhunës dhe presionit.
“Rama si Lukashenko, diktatorët janë njësoj! Kur diktatorët flasin për dialog, kërkojnë kohë, jo zgjidhje. Ata vjedhin zgjedhjet njësoj. Dhunojnë njësoj. Kërcënojnë njësoj. Edhe fundin e kanë të njëjtë”, shkroi Bardhi.
Edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku reagoi ndaj kryeministrit, pas mbledhjes së grupit parlamentar socialist në Kryesinë e Kuvendit. Ajo e cilësoi Ramën një kryeministër në ikje, që sipas saj, ka frikë nga qytetarët.
“Një kryeministër në ikje, që rrethohet nga qindra policë sepse ka frikë nga populli, ka shkuar sot në Kryesinë e Kuvendit për të mbledhur grupin parlamentar të PS-së. Deputetët e tij kanë një javë në «arrest shtëpie», sepse Shqipëria nuk i do më. Kot lodhet! Koha e tij ka përfunduar”, shkroi Tabaku./k.m
