Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 14 personat e arrestuar pas protestës së zhvilluar më 10 shkurt në kryeqytet. Vendimi u dha pas shqyrtimit të kërkesës së organit të akuzës, ndërsa gjykata vlerësoi se nuk plotësohen kushtet për masa më të rënda sigurie.
Sipas procedurës, “detyrim paraqitje” nënkupton që të hetuarit duhet të paraqiten periodikisht pranë oficerit të policisë gjyqësore dhe të mos largohen nga vendbanimi pa autorizim, deri në përfundim të hetimeve. Masa synon garantimin e vijimit normal të procesit, pa cenuar lirinë e plotë të personave nën hetim.
Protesta e 10 shkurtit u shoqërua me tensione dhe përplasje sporadike, çka çoi në ndërhyrjen e policisë dhe arrestimin e disa pjesëmarrësve. Organi i akuzës pritet të vijojë hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe rolin e secilit prej të ndaluarve.
Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se klientët e tyre nuk kanë konsumuar vepër penale dhe se do të ndjekin rrugët ligjore për të kundërshtuar çdo pretendim të ngritur ndaj tyre. Ndërkohë, palët pritet të paraqesin provat përkatëse në vijim të procedurës hetimore.
Çështja mbetet në hetim, ndërsa 14 protestuesit do të paraqiten sipas afateve të caktuara nga autoritetet./kb
