Nga Ylli Manjani
Ajo që ndodhi në Zvërnec pati disa të mira të pamohueshme dhe për to protestuesit meritojnë respekt.
Së pari, ajo protestë na zbuloi një arrogancë ekstreme të parasë, një mendësi që duket sikur beson se mund të zërë edhe detin, edhe tokën, edhe njerëzit. Pa atë protestë, ndoshta nuk do ta kishim parë kurrë atë sjellje në dritën e diellit dhe nuk do të kishim pasur mundësinë ta dënonim publikisht. Madje, shumë gjasa ka që edhe masat ndëshkuese që u morën më pas nuk do të ishin marrë pa reagimin e qytetarëve.
Së dyti, protesta detyroi shtetin të flasë. Deri në atë moment, vendimmarrja për atë zonë zhvillohej pas dyerve të mbyllura. Vetëm pas reagimit publik qeveria u detyrua të shpjegojë çfarë synon të bëjë aty. Tashmë mësuam që ka leje zhvillimi, ka edhe leje rrethimi të tokës, jo detit dhe bregut.
Së treti, protesta nxori në sipërfaqe historitë e errëta të pronësisë. Të paktën mësuam kush janë pronarët e tokave, si janë krijuar ato prona dhe çfarë historie fshihet pas tyre. Kush i ka fituar ligjërisht, le t’i gëzojë; kush i ka marrë në kurriz të të tjerëve, le të japë llogari.
Por me protestën e Tiranës, të cilën gjithashtu e respektoj dhe nuk e paragjykoj, kam disa pikëpyetje.
Së pari, një protestë në Tiranë për Vlorën nuk më bind në parim. Për një çështje që prek drejtpërdrejt Zvërnecin dhe Vlorën, zëri i parë duhet të jetë ai i njerëzve që jetojnë aty. Deri tani nuk duket se Vlora po e sheh investimin me të njëjtin shqetësim që shprehet në Tiranë.
Së dyti, kur flasim për mbrojtjen e zonës, duhet të jemi të qartë se çfarë po mbrojmë dhe si. Duam të mbrojmë një zonë si muzeum natyral i skafistëve?! Apo një zonë varrezë të viktimave të krimit?! Apo duhet të mbrojmë një zonë ku depozitohen plehra gjithfarësh?!
Po, ligatina duhet mbrojtur. Pa asnjë diskutim. Por pyetja është: si mbrohet ajo? Me çfarë kostoje?
Dhe çfarë përfitimi i kthehet komunitetit lokal? Mbrojtja e natyrës nuk mund të jetë thjesht një slogan; ajo duhet të jetë një model që ruan mjedisin dhe njëkohësisht krijon vlerë për njerëzit që jetojnë aty.
Sa vizitorë, turistë apo plazhistë pret sot ajo zonë?! Këtë duam të mbrojmë?!
Nuk më duket normale me thënë të drejtën.
Nuk e di nëse protesta e Tiranës është greke, anti-Trump apo me ndonjë prapavijë tjetër politike. Nuk kam prova për asnjërën. Por ajo që shoh është se në Tiranë debati duket më shumë politik sesa lokal. Më shumë për simbolikën, sesa për vetë Zvërnecin.
Kam respekt për çdo protestë, edhe për ato politike. Protesta është e drejtë demokratike. Por logjika më çon në një përfundim të thjeshtë: për fatin e Zvërnecit, fjala më e fortë duhet të jetë e zvërnecasve dhe e vlonjatëve. Ata janë të parët që jetojnë me pasojat, qoftë të zhvillimit, qoftë të mungesës së tij./a.d
