Last Updated on 26/10/2026 by Anisa
Nëntë persona janë arrestuar, dy janë proceduar penalisht dhe 20 të tjerë janë shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në kryeqytet.
Sipas njoftimit të Policisë, personat e arrestuar dyshohet se kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke i goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike, si dhe kanë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore gjatë tubimit.
Mes të arrestuarve është edhe një shtetas gjerman, 23-vjeçari M. L.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar një 20-vjeçar, i cili dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale të vjedhjes. Sipas Policisë, ai dyshohet se është përfshirë edhe në veprime të kundërligjshme gjatë protestës së 24 tetorit 2026.
Gjatë kontrollit në banesën e një prej të arrestuarve, 20-vjeçarit K. M., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Tiranë
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta dhe me lëndë piroteknike, punonjësit e Policisë, si dhe dëmtuan godina institucionesh shtetërore, gjatë tubimit të djeshëm, arrestohen 9 shtetas, procedohen penalisht 2 dhe shpallen në kërkim 20 shtetas.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, në lidhje me tubimin e djeshëm:
-u arrestuan shtetasit A. K., 27 vjeç, P. L., 45 vjeç, E. B., 21 vjeç, Sh. M., 19 vjeç, O. C., 19 vjeç, Z. M., 25 vjeç, S. H., 20 vjeç, M. L., 23 vjeç (shtetas gjerman), dhe K. M., 20 vjeç;
-u proceduan penalisht 2 shtetas dhe u shpallën në kërkim 20 shtetas.
Gjithashtu, u arrestua shtetasi E. D., 20 vjeç, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për veprën penale “Vjedhja”, dhe dyshohet se është përfshirë në veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të datës 24.10.2026.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit K. M., 20 vjeç, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia vijon veprimet hetimore në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme gjatë tubimeve, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/ad