Nga Agron Gjekmarkaj
Shqipëria, e trazuar e gjitha në rebelim, pret që Kryeministri të marrë përgjegjësi dhe jo të bëjë prokurorin moral! Shqipëria pret që të rinjtë e saj të dëgjohen!
Doli ai, por dolën edhe të tjerët, herët në mëngjes, nëpër cepa të ndryshëm të vendit, dinjitarët pa dinjitet të një pushteti që ka humbur çdo legjitimitet! Dolën herët, sepse ditën duhet të gjejnë strehë të sigurt që të fshihen!
«Ejani, – thonë, – të flasim, të diskutojmë, por me një kusht: të rrimë gjithmonë në pushtet, të vjedhim gjithmonë, të sundojmë, t’ju poshtërojmë, t’ju patronazhojmë, të bëjmë ç’të duam me pasurinë dhe dinjitetin e shqiptarëve. Po, hajdeni, për të tjerat diskutojmë!»
E vërtetë, Shqipëria nuk do përplasje, as luftë civile, as lulëzim të anarkisë, por përgjegjësi për të konsideruar, qoftë edhe një herë të vetme, ekzistencën e saj përpara hallit personal!
Shqipëria pret zgjidhje politike, jo agoni!
Pamjet e të rinjve mbrëmë, të shtrirë përtokë si në Libinë e Gadafit, dhuna e stisur nga militantë kundër konvikteve të vajzave në Qytet Studenti, janë një kambanë alarmi për atë që na pret!
Të rinjtë nuk janë armiq të shtetit! Ata nuk janë kriminelë pse protestojnë, pse ngrenë zërin, pse refuzojnë të nënshtrohen. Ata janë bijtë dhe bijat e këtij vendi, janë shpresa e fundit e Shqipërisë dhe kanë të drejtën e shenjtë të kërkojnë llogari nga pushteti pa u përballur me çizmen e dhunës policore, pa i rrëmbyer me maska në furgonë privatë, pa i gjakosur e poshtëruar!
Militantët politikë në organet e rendit një ditë do të gjykohen për batërdinë e tyre.
Studentët nuk mund t’i ftojnë për asgjë ministra të depersonalizuar, të korruptuar, simbol i bllokimit dhe vrasjes së alternativës!
Uniforma e policisë është simbol i ligjit dhe i sigurisë, teksa ajo po përdoret si licencë për poshtërim, dhunë dhe terror ndaj qytetarëve!
Asnjë urdhër nuk mund të justifikojë trajtimin çnjerëzor të të rinjve. Asnjë pushtet nuk është mbi ligjin. Asnjë Kryeministër apo qeveri nuk mund ta fshehë frikën nga qytetarët pas helmetave, mburojave dhe forcës së policisë.
Kur qeveria u përgjigjet zërave të rinisë me dhunë, ajo nuk demonstron forcë, por dobësi dhe frikë.
Kur të rinjtë shtrihen përtokë, ndërsa shteti ngrihet kundër tyre me forcë, nuk kemi të bëjmë me triumfin e rendit, por me dështimin e rëndë të demokracisë, me triumfin e autoritarizmit e të terrorit politik.
Shqipëria nuk mund të jetë vendi ku të rinjtë masakrohen e poshtërohen pse kërkojnë të drejtën e tyre!
Si Nënkryetar i Kuvendit të Republikës, kërkoj përgjegjësi për çdo akt dhune, identifikimin e personave përgjegjës dhe hetim të plotë, të pavarur e transparent për ngjarjet e mbrëmshme.
Kam një thirrje për SPAK-un: të veprojë për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë dhe shoqërisë në këto orë të vështira, t’i hetojë ata kriminelë ose të premtojë që do ta bëjë sapo të ketë mundësi!
Demokracia nuk mbrohet duke gjunjëzuar rininë. Ajo mbrohet duke mos ndryshuar Kushtetutën me një parlament çyryk për të grabitur zgjedhjet në tavolinë!
Ajo mbrohet duke mos rrëmbyer zgjedhjet lokale e politike me forcën e krimit, patronazhimit, policisë dhe administratës!
Ajo mbrohet duke mos e kthyer pushtetin në qëllim në vetvete e të pandryshueshëm.
Ajo mbrohet duke i përdorur zgjedhjet për ta lënë pushtetin, jo për ta mbajtur përjetësisht!
Ajo mbrohet kur qytetarët votojnë të lirë.
Ajo mbrohet kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk bëhet një person nga një qark ku policia u vu në shërbim të pushtetit dhe krimit për të dhunuar opozitën në zgjedhje, ku ai ishte numri një i saj dhe këtë ofiq e merr si shpërblim.
Ajo mbrohet kur shefja e shërbimeve nuk i shërben krimit të organizuar, por sigurisë kombëtare!
Ajo mbrohet duke mos vjedhur paranë publike me çdo poshtërsi e tender!
Ajo mbrohet duke respektuar të drejtat e opozitës në parlament dhe duke mos e marrë peng institucionin, duke mos e ndëshkuar orë e çast opozitën për t’i mbyllur gojën!
Ajo mbrohet duke e ushqyer pluralizmin dhe liberalizmin, jo duke i vrarë ato.
Ajo mbrohet duke promovuar bashkëjetesën politike me ndershmëri, jo duke luftuar kundërshtarin me mjete ekstra-politike.
Ajo mbrohet duke u kujdesur që përfaqësimi të rritet, jo të zvogëlohet!
Ajo mbrohet duke i dhënë vendit një qeveri të denjë dhe jo dordolecë të korruptuar, anonimë e banalë si kjo e tanishmja!
Ajo mbrohet kur Kryeministri mbetet njeri dhe jo luan që i flet Zoti!
Ajo mbrohet kur sistemi nuk vihet i gjithi në shërbim të një njeriu, aq sa sot nuk ke më me kë të bisedosh. Vendi nuk ka President, ose e ka, por sa herë flet, edhe në këto orë tragjike, njerëzit qeshin. Nuk ka qendra diverse pushteti, nuk ka as zëra dinjitozë në Partinë në pushtet që të artikulojnë alternativa apo të ndërtojnë ura komunikimi!
Një nyje e madhe gordiane rri mbi kokat tona, një qerthull vicioz që deri më sot nuk e ka zgjidhur debati e fjala! Studentët nuk duan të plaken më me këtë nyje gordiane mbi kokë.
Fshihet një njeri, zhduket gjithë shteti, s’ka më asgjë!
Edi Rama, për gjithë nderin që ky vend i ka bërë në 30 vjet, duhet të marrë përgjegjësi morale e politike që të mos i përplasë shqiptarët! Ai duhet të ofrojë zgjidhje politike, jo për të kaluar lumin, por që lumi të mos përmbysë Shqipërinë!
Nuk mund të zhduket për t’u shfaqur në mëngjes, ditë pas dite, në pritje që studentët të lodhen, siç ndodhi me protestat e verës!
Një Shqipëri e tillë nuk është as e integrueshme, as europiane, por një këmishë hekuri në trupin e gjithsecilit! Duhet ta mbajmë Shqipërinë, do të hedhim këmishën!
Vendit i duhet qeveri teknike, rishkrim i kuadrit kushtetues, rindërtim i infrastrukturës ligjore të Republikës, një kantier i hapur ku të punojnë të gjithë komponentët jetikë të kësaj shoqërie!
Shqipëria bëhet europiane vetëm kur qytetarët e saj respektohen dhe, si pasojë, jetojnë në një kornizë demokratike. Gjithçka tjetër është iluzion e genjeshter! Nuk jetohet me secilen veç e veç as mes te dyjave!
