Një poster gjigant me imazhet e presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, zëvendëspresidentit J.D. Vance dhe të dërguarit të posaçëm Steve Witkoff është djegur nga protestuesit në Teheran, të mërkurën në mbrëmje. Manifestimi u zhvillua në një moment tensionesh të larta mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.
Pamjet nga kryeqyteti iranian tregojnë qytetarë të mbledhur rreth posterit të përfshirë nga flakët, ndërsa disa prej tyre regjistronin ngjarjen me telefonat celularë. Të tjerë mbanin flamuj iranianë dhe brohorisnin slogane në mbështetje të vendit të tyre.
Posteri paraqiste katër zyrtarët me fytyra të përgjakura, plagë të dukshme dhe kostume të grisura, përpara flamujve amerikanë dhe izraelitë. Ai ishte vendosur një ditë më parë në sheshin Engelab, një nga zonat qendrore të Teheranit. Pranë tij ishte vendosur edhe një poster tjetër, ku Trump shfaqej pas hekurave të burgut, i shoqëruar me mbishkrimin kërcënues: “Do ta vrasim Trumpin”.
Gjatë tubimeve, protestuesit mbanin gjithashtu flamuj të kuq dhe pankarta me sloganin “Gjaku do të derdhet”, duke kërkuar hakmarrje për vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, në sulmet SHBA-Izrael të 28 shkurtit, që shënuan nisjen e luftës.
Manifestimet dhe posterat antiamerikanë e antiizraelitë zhvillohen në një kohë kur presidenti Donald Trump dhe kryeministri Benjamin Netanyahu po përballen me zhvillime të vështira politike në vendet e tyre. Në SHBA, demokratët shënuan fitore në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit, ndërsa në Izrael zgjedhjet e 27 tetorit nuk i siguruan bllokut të Netanyahut shumicën e nevojshme parlamentare.
Tensionet ushtarake dhe negociatat për Ngushticën e Hormuzit
Ndërkohë, përplasjet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje. Disa orë përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, forcat amerikane kryen sulme ndaj objektivave iraniane në rajonin e Ngushticës së Hormuzit.
Sipas një zyrtari amerikan, sulmet kishin në shënjestër forcat iraniane që përdornin raketa tokë-ajër kundër trupave amerikane në rajon. Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në ishujt Qeshm dhe Khengham, si dhe në zonën bregdetare të Bandar Abbas.
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se i ka kërkuar Trumpit të autorizojë një valë të re sulmesh ndaj Iranit. Sipas zyrtarëve rajonalë dhe personave të njohur me diskutimet, kjo kërkesë është ngritur gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve, por presidenti amerikan nuk është zotuar për një operacion të ri ushtarak.
Ndërkohë, Teherani ka kushtëzuar uljen e tensioneve dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit me përmbushjen e kërkesave të tij nga Uashingtoni. Irani kërkon heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve të tij, lehtësimin e sanksioneve mbi shitjet e naftës dhe respektimin e një armëpushimi që do të përfshinte edhe Libanin.
Pavarësisht tensioneve, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance është shprehur optimist për mundësinë e një marrëveshjeje të negociuar. Ai deklaroi se kishte pasur bisedime pozitive me palën iraniane, por theksoi se Trump ruante në dispozicion edhe opsionet ushtarake dhe jo-ushtarake.
Në të njëjtën kohë, prania ushtarake amerikane në rajon vijon të jetë e konsiderueshme. Mijëra trupa amerikane ndodhen në ujërat pranë Iranit, ndërsa një tjetër aeroplanmbajtëse, e shoqëruar nga mijëra ushtarë, po shkon drejt Lindjes së Mesme.
Përpjekjet diplomatike vijojnë për arritjen e një marrëveshjeje që do të mundësonte ndalimin e sulmeve në Ngushticën e Hormuzit dhe heqjen e bllokadës amerikane, por mosmarrëveshjet mes dy palëve mbeten të konsiderueshme./ad
