Nga ARTUR AJAZI
Si në asnjë vend tjeter në botë (në Europë jo dhe jo) në skenën politike, mediatike, ligjore dhe sociale, po merremi prej muajsh me Belinda Ballukun. Dikush thotë “ka vjedhur 1.1 miliardë euro”, dikush tjeter “ka abuzuar me tenderat, ka dhene tendera kompanive të cilat i japin perqindjen e tenderit”, apo dhe dikush tjeter “ka frikësuar dëshmitaret me grupe kriminale”. Pastaj kthehen dhe thonë se “Belinda nuk ka vjedhur, por ka firmosur të vjedhë Edi Rama”. Pra e kuptoni ku jemi futur, ku jemi katandisur, ku jemi degdisur, dhe nuk merremi me problemet dhe hallet tona të përditshme, problemet tona familjare, personale, me pastërtinë e qyteteve, rritjen e pagave dhe pensioneve, me rritjen ekonomike, me uljen e çmimit të naftës dhe benzinës, dhe sigurinë ushqimore, por merremi gjithë kohën me punët e drejtësisë. Politika destruktive, e cila ndodhet në seli, në Parlament, në rrugë, në sheshe, na jep leksione sot se si “ndertohet shteti ligjor, se si funksionon drejtesia, se si arrestohen ata që vjedhin popullin”, ndërsa portalet dhe “tenxheret mediatike” të caktuara, merren me tjerrjen e fjalimeve dhe akt-akuzave që vijnë nga oborri partisë së “Leninit”. I tillë quhet sot Sali Berisha, sepse vetëm Lenini mbeti kryetar i Partisë Bolshevike të Bashkimit Sovjetik deri në fund, dhe vetëm ai jepte leksione mbi gjithçka. Lereni SPAK-un dhe GJKKO të punojë, nuk kanë nevojë ato struktura solide, për asnjë parti politike, për asnjë kryetar partie, ti bëhet avokat mbrojtës. Drejtësia nuk varet dhe nuk merr leksione nga politika, në asnjë vend të botës së përparuar. E kanë bërë Belindën “gogolin” e shqiptareve, e kanë akuzuar dhe përçudnuar deri atje, sa ligjerisht ajo sot ndjehet e fyer dhe kërcënuar. Në rast se dikush ka vjedhur, abuzuar, ka përvetësuar paratë tona, ai le të përgjigjet para ligjit, dhe jo para politikës. Kur duhet ta kuptojmë dhe kur do ta pranojmë se, drejtësia është pushtet i pavarur, dhe se me hetimet, arrestimet, gjykimet, dhe dënimet merret drejtësia, dhe jo politika. Nuk besoj se jemi akoma gati për në BE, me këtë mentalitet boleshevik që karakterizon një pjesë të mire të politikës tek ne. Nuk është Belinda problemi ynë kryesor, pasi kemi 1001 halle të tjera që duan zgjidhje. Problemi “Belinda” mbahet i karikuar vetëm nga opozita e shkërrmoqur, e cila para se të merret me punët e SPAK dhe GJKKO, le të merret me problemet e saj emergjente që ka brënda partisë. Le të merret me hallet dhe problemet e bazës së partisë, e cila ka humbur besimin tek lidershipi PD, duke humbur 12 palë zgjedhje. Ç’punë ka me Belindën fermeri, taksisti, muratori, pensionisti, apo ai që merret me tregëti dhe biznes. Ata kanë mëngjesin dhe darken e tyre, kanë jetën dhe familjen e tyre. Në botën demokratike, askush nuk bëhet merak se, u arrestua ministri, apo kryeministri, politikani apo prokurori. Ato mbeten punët e drejtësisë, dhe në rast se drejtësia është aq e paaftë sa, të mos hetojë, arrestojë dhe dënojë një pushtetar të korruptuar, atëhere ky nuk është problemi popullit. Ky është problemi i politikës që ndërhyn në punët e drejtësisë./kb
