Last Updated on 25/07/2026 by Kesjana
**
Nëse keni një mace, mund ta keni vënë re se shpesh ajo prek ujin me putër përpara se të pijë. Sipas specialistëve të sjelljes së maceve, ky veprim është krejtësisht normal dhe lidhet me disa arsye instinktive.
Një nga shpjegimet kryesore lidhet me vibrisat (mustaqet), të cilat janë jashtëzakonisht të ndjeshme. Duke prekur fillimisht ujin me putër, macja vlerëson thellësinë dhe madhësinë e enës, duke shmangur përplasjen e mustaqeve me anët ose fundin e saj. Në të njëjtën kohë, ajo mund të kontrollojë edhe temperaturën e ujit.
Një arsye tjetër ka të bëjë me ndjenjën e sigurisë. Nëse ena e ujit ndodhet pranë një muri, macja do të duhej t’i kthente shpinën ambientit për të pirë, duke humbur kontrollin mbi atë që ndodh rreth saj. Duke lëpirë ujin nga putra, ajo arrin të qëndrojë më vigjilente dhe të mbajë gjithmonë nën vëzhgim mjedisin.
Ekspertët besojnë gjithashtu se lëvizja e ujit me putër i ndihmon macet të kuptojnë nëse uji është i freskët apo i ndenjur. Kjo shpjegon edhe pse shumë mace preferojnë të pinë ujë që rrjedh nga rubineti.
Në disa raste, sjellja mund të jetë thjesht një formë loje ose kureshtjeje. Lëvizja e ujit krijon valëzime që tërheqin vëmendjen e maces dhe e nxisin të ndërveprojë me të.
Pra, në shumicën e rasteve, prekja e ujit me putër nuk është shenjë e ndonjë problemi, por një sjellje natyrale që lidhet me instinktin, sigurinë dhe kureshtjen e maceve./FC
