Me ardhjen e vjeshtës, ditët shkurtohen, temperaturat ulen dhe orët me dritë natyrale pakësohen. Për shumë njerëz, kjo periudhë shoqërohet me një ndjesi lodhjeje, përgjumjeje dhe vështirësie për t’u ngritur nga shtrati në mëngjes.
Por pse ndodh kjo?
Ekspertët e gjumit shpjegojnë se kalimi nga vera në vjeshtë mund të ndikojë në ritmin tonë të gjumit për disa arsye, që nga ndryshimet e temperaturës e deri te mënyra se si ushqehemi.
1. Temperaturat ndikojnë në mënyrën si na zë gjumi
Temperatura e dhomës luan një rol të rëndësishëm në cilësinë e gjumit. Sipas specialistëve, trupi duhet të ulë temperaturën e tij të brendshme me rreth një gradë për të nisur procesin e gjumit.
Pikërisht për këtë arsye, temperaturat më të freskëta të vjeshtës mund të jenë në fakt më të favorshme për të fjetur, pasi trupi e largon më lehtë nxehtësinë.
Megjithatë, nëse temperatura bie shumë, situata ndryshon. Të ftohtit dhe dridhjet mund ta bëjnë më të vështirë të na zërë gjumi. Ndërkohë, kalimi i menjëhershëm te një jorgan shumë i trashë apo ndezja e fortë e ngrohjes mund ta bëjë dhomën tepër të ngrohtë.
Ekspertët këshillojnë që ndryshimi i temperaturës të bëhet gradualisht. Në vend që të kaloni menjëherë nga një jorgan i hollë te një shumë i trashë, mund të përdorni shtresa batanijesh që mund t’i hiqni ose shtoni sipas nevojës.
2. Errësohet më herët dhe trupi fillon të kërkojë gjumë
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është reduktimi i orëve me dritë.
Kur jashtë errësohet, organizmi nis të çlirojë melatoninën, hormonin që i sinjalizon trupit se po afrohet koha e gjumit. Meqë në vjeshtë errësohet më herët, disa njerëz mund të ndihen të përgjumur më shpejt se gjatë verës.
Kjo mund të bëjë që ora e gjumit të zhvendoset gradualisht. Nëse gjatë verës dikush shkonte në shtrat rreth orës 23:00, në vjeshtë mund të ndiejë nevojën të flejë pak më herët.
Për ta ndihmuar trupin të përshtatet, ekspertët sugjerojnë që në mbrëmje të reduktohet intensiteti i ndriçimit në shtëpi. Dritat e forta mund të zëvendësohen me ndriçim më të butë.
3. Mëngjeset e errëta e bëjnë më të vështirë zgjimin
Nëse errësira e mbrëmjes mund të na bëjë të përgjumur më herët, mëngjeset e errëta mund të kenë efekt të kundërt: zgjimi mund të bëhet shumë më i vështirë.
Drita natyrale luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e ritmit biologjik. Sipas ekspertëve, mungesa e saj në orët e para të ditës mund të bëjë që shumë njerëz të ndihen të plogësht dhe të kenë vështirësi të largohen nga shtrati.
Një nga zgjidhjet e sugjeruara është përdorimi i një alarmi që simulon lindjen e diellit. Në vend që zgjimi të jetë i menjëhershëm nga një tingull alarmi, drita rritet gradualisht dhe mund ta ndihmojë trupin të kalojë më butë nga gjumi në zgjim.
4. Lëvizim më pak dhe kjo mund të ndikojë te gjumi
Me uljen e temperaturave dhe shtimin e ditëve me shi, aktiviteti fizik shpesh bie. Daljet pakësohen, njerëzit qëndrojnë më shumë në ambiente të mbyllura dhe kalojnë më shumë kohë ulur.
Por lëvizja gjatë ditës është e rëndësishme edhe për gjumin.
Sipas ekspertëve, aktiviteti gjatë ditës ndihmon në krijimin e nevojës natyrale për gjumë. Në të kundërt, periudhat e gjata ulur janë lidhur me cilësi më të dobët të gjumit.
Mungesa e daljeve jashtë do të thotë gjithashtu më pak ekspozim ndaj dritës natyrale, e cila ndihmon në rregullimin e orës biologjike dhe ndikon edhe në humor.
Prandaj, një shëtitje gjatë ditës, pak aktivitet fizik dhe ekspozimi ndaj dritës natyrale mund të jenë të dobishme për të ruajtur një ritëm më të qëndrueshëm gjumi.
5. Ndryshon edhe mënyra si ushqehemi
Vjeshta mund të sjellë ndryshime edhe në mënyrën se si ushqehemi. Me temperaturat më të ulëta, shumë njerëz priren të konsumojnë vakte më të rënda, ushqime më të ëmbla ose vakte më të vona në mbrëmje.
Problemi është se ushqimet e rënda kërkojnë më shumë kohë për t’u tretur dhe mund të shkaktojnë parehati gjatë natës, duke ndikuar në cilësinë e gjumit.
Ekspertët këshillojnë të shmangen sa më shumë vaktet e vona dhe të përfshihen më shumë fibra në ushqyerjen e përditshme.
Pra, nëse këto ditë po ndiheni më të lodhur, më të përgjumur ose e keni më të vështirë të zgjoheni në mëngjes, ndryshimi i stinës mund të jetë një nga faktorët që po ndikon në ritmin tuaj të gjumit.
Temperatura, drita, aktiviteti fizik dhe ushqyerja janë të gjitha pjesë e mënyrës se si trupi përshtatet me kalimin nga ditët e gjata të verës drejt vjeshtës./mxh
