Nga Hermes Kafexhiu
Situata e djeshme me Erion Veliajn ka pasur një vëmendje publike që nuk ke se për çfarë e ezauron më tepër. Deklaratat janë publike dhe të qarta, si nga familjarët, avokati i tij, por mbi të gjitha edhe nga media.
Më bëjnë përshtypje tre situata në këtë histori.
Fërkimi i duarve i asaj ushtrie digjitale mediatike që fërkon duart me izolimin e Veliajt, duke harruar se, padashur, ata vetë dalin jo vetëm në kontradiktë, por edhe qëllimisht nxitës dhe gënjeshtarë, kur harrojnë faktet publike të sjelljes me dy standarde të shtetit, e theksoj, të shtetit, jo të pushtetit, sepse pushteti, mesa duket, veproi qartë, për personat e akuzuar njëlloj si Veliaj.
Edhe heshtja e tyre ndodh për dy arsye, për egon, sepse nuk do të duan kurrë t’i japin asnjë të drejtë Veliajt, por edhe për faktin se nuk u intereson ta thonë të vërtetën, sepse u duket sikur Veliaj do të marrë ndonjë protagonizëm glorifikues.
Në fakt, e vërteta e kësaj historie është shumë e qartë për atë çka është publike. Për të tjerat që janë në prapavijë, unë mendoj se historia ka nisur të qartësohet, për sa kohë Gjykata e Lartë lau veten duke e hapur çështjen e Nesti Angonit, pasi nuk pati guximin ta nxirrte Veliajn. Edhe pikërisht këtu qëndron e gjithë çështja, sepse tani Nesti Angoni do të jetë një çështje gjykate. Një gjyq do të zbulojë procesin e anonimatit, që na ka bërë gjithë këto kohë ta shohim këtë proces si politik.
Çështja tjetër është ajo e atyre që mbrojnë SPAK-un, të cilët edhe tani, për disa zhvillime të fundit, janë tredhur dhe nuk flasin asnjë fjalë. Madje, nuk flasin as për mënyrën se si SPAK-u hesht, ndërkohë që Drejtoria e Burgjeve ka bërë një lëvizje pa e pyetur fare, për një të paraburgosur që ata dhe BKH-ja e shihnin si sytë e ballit, se mos mbante në qelinë e Durrësit ndonjë bombë bërthamore. Unë e kam thënë dhe historia do ta tregojë se kjo çështje pasqyroi gjithë tredhjen e këtij institucioni, që u betua për drejtësi ndaj shqiptarëve dhe u dha qartë, prej kohëve të fundit, selektivitetin.
Edhe historia e tretë, që është dhe më qesharakja, është anonimati që vijon edhe në strukturën shtetërore dhe administrative të vendit tonë. Një transferim pa dokumente dhe pa asnjë shkresë zyrtare, aq më tepër për një ish-zyrtar që e ke shitur si histori suksesi për drejtësinë e re, që i preu kokën për “korrupsionin” galopant, ndërkohë që, nga ana tjetër, kur gjen pa dokumente patatet dhe preshat kontrabandë, nxiton të trumbetosh veprën e madhe penale.
Një shtet pa shkresë, një shtet që nuk do të lërë asnjë gjurmë juridike, se i trembet gjyqit, edhe më pas do të shkojë dhe do të justifikohet se gjoja ishte një procedurë observimi sipas një rregulloreje që ata që drejtojnë burgjet as nuk e kanë lexuar fare. E gjitha është që askush nuk kthen përgjigje, siç thanë gazetarët, sepse u kanë thënë të mos kthejnë përgjigje, sepse nuk duan t’i japin vëmendje situatës. Duan ta injorojnë faktin se mund të hidhen argumente se Veliaj ka të drejtë. E injorojnë sepse duan që ta mbajnë në tension, që Veliaj të bëhet diskutim thashethemi, për t’u marrë njerëzit me telenovelën e tij dhe, mbi të gjitha, mungesa e reagimit është edhe për shkak se janë burracakë si vetë Nesti Angoni. Frikacakë që nuk dalin hapur të tregojnë hipokrizinë e tyre, që tregon, në fund të ditës, edhe mungesën e njerëzillëkut, sepse kjo histori ka dhe një raport njerëzor të kthyer në një luftë krenarie, korridoresh dhe hapësire politike.
E në fund, unë mendoj që kjo histori i bën nder Veliajt, i bën një nder, sepse, mes kësaj vuajtjeje që po kalon, kupton se mëkati i tij i të qenit mirënjohës ka një çmim.
Edhe ma kurseni hipokrizinë, ma kurseni atë qëndrim cinik, se gjoja “ai e meriton”, “se ai po bën viktimën”, “se ai është i korruptuar” e të gjitha këto.
Historia secilin, herët a vonë, në politikë e ballafaqon me qëndrimin e tij në raport me pushtetin. Edhe nesër, këta që flasin sot me Biblën në dorë për “antikorrupsionin” do të dalin dhe do të ndryshojnë qëndrimet e tyre, sepse do ta kuptojnë qartë dhe pastër se kjo histori s’ka të bëjë as me vetingun, as me glorifikimin, por me politikën.
Gjithçka është politike, edhe ndoshta vetëm kjo në këtë histori nuk është anonime si Nesti./k.m
