Last Updated on 15/07/2026 by Kesjana
Shprehja se “edhe dikur bënte vapë” është e vërtetë, por jo në përmasat që po përjeton sot Evropa. Të dhënat shkencore tregojnë se valët ekstreme të të nxehtit të regjistruara në qershor 2026 do të kishin qenë pothuajse të pamundura 50 vite më parë. Sipas analizës së World Weather Attribution, temperaturat në Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe në jug të Anglisë ishin nga 5 deri në 12 gradë Celsius mbi mesataren sezonale gjatë qershorit të këtij viti. Kjo konfirmon se nuk bëhet fjalë për një perceptim, por për një ndryshim real të klimës. Shkencëtarët e lidhin këtë fenomen me rritjen e temperaturës mesatare globale, e shkaktuar kryesisht nga emetimet e gazeve serrë. Ndërsa valët e të nxehtit kanë ekzistuar gjithmonë si pjesë e variabilitetit natyror të klimës, frekuenca, kohëzgjatja dhe intensiteti i tyre janë rritur ndjeshëm në dekadat e fundit. Sipas të dhënave të cituara në studim, temperatura mesatare globale është rritur me rreth 1.4°C krahasuar me periudhën paraindustriale, ndërsa në Evropë rritja ka arritur në rreth 2.5°C. Edhe një rritje mesatare që mund të duket e vogël përkthehet në më shumë ditë me temperatura ekstreme dhe në një klimë gjithnjë e më të nxehtë.
Studimi krahasoi valën e të nxehtit të qershorit 2026 me kushtet klimatike të viteve të kaluara. Rezultatet tregojnë se në vitin 1976, kur u regjistruan disa nga rekordet historike të temperaturave në Evropë, një vapë si ajo e këtij viti do të kishte qenë praktikisht e pamundur në çdo periudhë të vitit. Edhe në vitin 2003, kur Evropa u përball me një nga valët më të rënda të të nxehtit të këtij shekulli, temperaturat ditore të ngjashme me ato të sotme do të kishin qenë rreth 10 herë më pak të mundshme. Për temperaturat e natës, një fenomen i tillë do të kishte qenë mbi 100 herë më pak i mundshëm. Sipas vlerësimeve të studiuesve, nëse një valë e ngjashme të nxehti do të kishte ndodhur në vitin 1976, temperaturat do të ishin mesatarisht rreth 3.5°C më të ulëta gjatë ditës dhe 2.4°C më të ulëta gjatë natës. Ndërsa në vitin 2003 ato do të ishin rreth 2°C më të ulëta gjatë ditës dhe 1.3°C më të ulëta gjatë natës.
Shkencëtarët theksojnë se konfigurimi atmosferik që solli këtë valë të nxehti lidhet me procese natyrore, si anticikloni subtropikal afrikan. Megjithatë, ndryshimi kryesor është se këto fenomene veprojnë tashmë mbi një planet më të ngrohtë për shkak të aktivitetit njerëzor, duke i bërë valët e të nxehtit shumë më intensive dhe më të shpeshta./kb
