Last Updated on 30/10/2026 by Monika
Rreth 2-3% e popullsisë shqiptare vuajnë nga psoriaza, sëmundja e lëkurës që, sipas mjekëve, mund të prekë edhe fëmijët, por është më e shprehur në grupmoshën 20-60 vjeç. Specialistët thonë se sëmundja ka predispozitë gjenetike dhe nuk është ngjitëse.
“Është një sëmundje që manifestohet me eritemë, skuqje të lëkurës dhe skuama, të cilat mund të jenë të imëta ose në formën e pllakave psoriatike. Mund të shfaqet me vatra të vogla, por mund të kemi edhe pllaka të mëdha psoriatike në lëkurë. Shpesh herë mund të prekë edhe skalpin e kokës, duke shkaktuar zbokth të shtuar dhe kruarje. Ndërkohë, psoriaza ka edhe një karakteristikë tjetër: prek thonjtë dhe artikulacionet”, tha Monika Fida, Shefe e Shërbimit të Dermatologjisë, QSUT.
Mjekët vënë theksin te diagnoza e hershme, pasi psoriaza rrit rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të tjera.
“Bashkëshoqërohet me një grup sëmundjesh të tjera, siç është sindroma metabolike, rreziku më i lartë për sëmundje kardiovaskulare, obeziteti dhe diabeti”, shtoi ajo.
Sëmundja lidhet edhe me stresin, i cili mund të ndikojë në përkeqësimin dhe shpërthimin e saj. Por nuk është ky i vetmi faktor.
“Faktorët përkeqësues, i pari është stresi, duhanpirja, rënia e nivelit të vitaminës D3, medikamente të ndryshme, obeziteti dhe sëmundjet infektive, të cilat mund të shoqërohen me shpërthimin e sëmundjes”, theksoi Fida.
Edhe më alarmues është fakti se pacientët e prekur nga psoriaza përballen shpesh me stigmatizimin nga shoqëria.
“Psoriaza ndikon ndjeshëm në shëndetin mendor, sepse është një sëmundje që krijon stigmë. Këta pacientë përballen me paragjykime për paraqitjen e tyre në ambiente publike. Së dyti, sipas statistikave, pacientët që vuajnë nga psoriaza kanë një rrezik më të lartë për depresion. Është e vërtetuar që këta pacientë kanë risk më të lartë për depresion.”
Nisur nga kjo panoramë, mjekët dermatologë apelojnë se pacientët e prekur nga psoriaza nuk janë vetëm. Diagnostikimi i hershëm mundëson mbajtjen nën kontroll të sëmundjes përmes trajtimeve bashkëkohore, përfshirë preparatet biologjike, të cilat kanë nisur të përdoren edhe në Shqipëri./mxh
