Studimi tregon se mashtrimet në udhëtime janë në rritje, ndërsa ekspertët këshillojnë të verifikoni mirë ofertat para rezervimit.
Pushuesit janë këshilluar të bëjnë një lloj “hetimi amator” për t’u siguruar që të mos rezervojnë akomodime të rreme këtë verë, pasi një studim tregoi se një e treta e udhëtarëve kanë vënë re rritje të mashtrimeve të mundshme në rrjetet sociale.
Ekspertët e konsumatorit u kanë bërë thirrje pushuesve të bëjnë kërkim të kundërt të imazheve të shtëpive të pushimit dhe të kontrollojnë vendndodhjet e tyre në hartat online, për të verifikuar nëse janë reale.
Këtë vit, njerëzit mund të jenë duke rezervuar me nxitim, pasi shumë prej tyre e kanë lënë më vonë se zakonisht për shkak të pasigurisë mbi ndikimin e luftës në Iran, gjë që rrit rrezikun për të rënë viktimë e një mashtrimi online ose telefonik.
Disa nga ata që u prekën nga anulimet dhe vonesat e fluturimeve në fillim të luftës në Iran kanë qenë tashmë viktima të mashtrimeve.
Përveç akomodimeve apo fluturimeve të rreme, njerëzve mund t’u ofrohen edhe ture që nuk ekzistojnë, ndërsa mashtruesit ndonjëherë kopjojnë fotografi nga faqe të ligjshme dhe shpesh kërkojnë pagesa me transfertë bankare.
George Ralchev, kreu i riskut te emerchantpay (kompani që ofron shërbime për përpunimin e pagesave elektronike), e cila porositi studimin, tha se pushuesit po shënjestrohen nga mashtrues në rrjetet sociale, të cilët “kërkojnë të përfitojnë nga sezoni kulmor i udhëtimeve”.
Sipas sondazhit të kryer nga Opinium në maj me 2,000 persona në Mbretërinë e Bashkuar, shtatë në 10 persona thanë se janë të kujdesshëm ndaj emaileve promocionale për pushime, për shkak të mashtrimeve të mundshme.
Dy të pestat e pushuesve thanë se kanë ndryshuar sjelljen gjatë pushimeve për shkak të shqetësimeve për sigurinë financiare.
Gjysma tani preferojnë të rezervojnë pushime me agjenci online ose fizike udhëtimi, nëse ato shpjegojnë qartë si i mbrojnë konsumatorët nga mashtrimet.
Një grua, të cilës nëpërmjet mashtrimit i ishin marrë 6,500 paund teksa përpiqej të rezervonte një vilë pushimi në Greqi, tregoi për “The Guardian” se iu lut bankës të ndalte transfertën, por stafi i tha se nuk mund të bënin asgjë.
Për të shmangur mashtrimet, njerëzit mund të bëjnë kërkime për të verifikuar nëse destinacioni ekziston realisht, të kërkojnë komente të pavarura dhe të kontrollojnë lidhjet e faqeve të internetit, tha emerchantpay.
Pushuesit mund të kontrollojnë gjithashtu nëse kompania është anëtare e Abta, shoqatë tregtare për agjentët turistikë, operatorët turistikë dhe industrinë më të gjerë të udhëtimeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Ata që rezervojnë paketa me fluturim mund të kontrollojnë edhe nëse mbulohen nga skema e mbrojtjes financiare Atol.
Lisa Webb, eksperte e së drejtës së konsumatorit në grupin Which?[i], tha se gjetjet ishin “fatkeqësisht jo befasuese” dhe pasqyronin kërkimet e vetë organizatës, sipas të cilave kompanitë e rrjeteve sociale “nuk po ndërmarrin veprime domethënëse për të luftuar vërshimin e mashtrimeve në platformat e tyre”.
“Barra nuk duhet të bjerë mbi konsumatorët, por ka mënyra që mund t’ju ndihmojnë të dalloni njoftimet e rreme për pushime, si përdorimi i kërkimit të imazheve për të kontrolluar nëse fotot janë vjedhur, ose verifikimi i vendndodhjes së pronës në një hartë online për të parë nëse ekziston.”, tha Webb.
Ajo i këshilloi udhëtarët të rezervojnë përmes kanaleve të besuara dhe të shmangin pagesat me transfertë bankare për çdo gjë të reklamuar në rrjetet sociale.
Kushdo që mendon se ka humbur para nga një mashtrim me rezervime pushimesh duhet të kontaktojë menjëherë bankën dhe ta raportojë rastin te Report Fraud.
Sipas një studimi të veçantë të Which?, të kryer në verën e vitit 2024 dhe pranverën e vitit 2025 mbi komentet në Booking.com, qindra persona u ankuan se kishin paguar për akomodime që nuk ekzistonin.
Booking.com dha atëherë një përgjigje të detajuar dhe tha se siguria kibernetike ishte përparësi kryesore. Edhe klientët e Expedia-s u shënjestruan në vitin 2024./ The Guardian-ad
